Pueri Cantores: kur muzika e të rinjve i flet shpirtit
(29.12.2010 RV)T’i çojnë botës mesazhin e dashurisë së Zotit dhe lajmin e gëzueshëm
të paqes përmes këngës: ky është misioni i “Pueri Catores”, i koreve të fëmijëve mbledhur
në Vatikan nga e gjithë bota për Kongresin e 36-të të Federatës së tyre Ndërkombëtare.
Takimi filloi dje në praninë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio
Bertone dhe do ta ketë kulmin nesër, në audiencën me Papën Benedikti XVI. 3 mijë të rinj
nga mosha 7 deri 17 vjeç e 100 kore nga çdo anë e botës, përfaqësojnë në Kongres Federatën,
që përfshin 25 mijë koristë, nga Evropa në SHBA-të, nga Republika Demokratike e Kongos
në Korenë e Jugut. Quhen “Pueri Cantores” e gjatë kësaj jave, japin koncerte në famullitë
e ndryshme të Romës, deri më 1 janar. Ajo e këngës në kishë, është një traditë, që
i ka rrënjët në shën Gregorin e Madh, përforcuar gjatë Rilindjes me themelimin e kapelave
muzikore romake. Të dëgjojmë, Kristiana Tenedinin e “Pueri Cantores” të Romës: “Kënga
liturgjike është shumë e rëndësishme gjithmonë. Siç thoshte shën Agustini: “Kush këndon
lutet dy herë”. Pra, shërbimi liturgjik është tepër i rëndësishëm për bashkësinë e
besimtarëve, që mblidhet e lutet me këngë, duke theksuar ndjetet e lutjes, që kalojnë
përmes muzikës. Në këtë rast, takohen fëmijët e të rinjtë nga e gjithë bota. Në ta
ndihet aspirata për paqen, parë si një objektiv, që mund të arrihet edhe përmes muzikës
e, veçanërisht, përmes muzikës kishtare”. Çast kulmor në ceremoninë e djeshme
për hapjen e Kongresit, ishte dorëzimi i relikeve të shën Domenik Savios, pajtor i
Federatës “Pueri Cantores”, shenjti i parë salezian, që vdiq në moshë të re, pas përkushtimit
të jashtëzakonisht në shërbimin liturgjik. Motoja e Kongresit “Deus caritas est” citon
enciklikën me të njëjtin titull të Papës Benedikti XVI, një nga të parat, ku flitet
shprehimisht për muzikën, këngën dhe aftësinë e tyre për të krijuar paqe e vëllazërim
ndërmjet njerëve, përmes lavdeve drejtuar Zotit. Një mesazh, të cilin ua përçoi koristëve
edhe kardinali-sekretar i Shtetit të Vatikanit, Tarçizio Bertone, që kryesoi kremtimin: “Të
dashur ‘Pueri Cantores’, dhurojani Zotit zërin dhe përpjekjet tuaja, që të bëheni
gjithnjë e më të denjë për t’i kënduar lavde Atij. Jezusi do ta pranojë ofertën e
impenjimin tuaj e, të jini të sigurtë se do t’jua shpërblejë shumëfish. Ai do t’ju
ndihmojë në rrugën e jetës e do të jetë me ju në realizimin e asaj bote të ardhshme,
në të cilën shpresoni të jetoni e të dashuroni”.