2010-12-29 16:05:04

Papa në audiencën e përgjithshme kushtuar Shën Katerinës së Bolonjës: përvujtëria, dëgjesa e shërbimi, janë armët për të luftuar të keqen.


(29.12.2010 RV)Mbi tundimin për të bërë keq, mund të fitojmë vetëm duke bërë mirë e duke e jetuar autoritetin si rast për të shërbyer e jo si mjet për të ushtruar pushtet mbi të tjerët. Këto mësime universale të krishterimit ishin në qendër të jetës së Shën Katerinës nga Bolonja, mistike klarise e 1400-tës, të cilën Benedikti XVI ia paraqiti si model për t’u ndjekur tetëmijë besimtarëve e shtegtarëve, të pranishëm në Sallën e Palit VI, gjatë audiencës së 45-të e të fundit të vitit 2010. Gjatë përshëndetjeve përfundimtare Papa u drejtoi fjalën posaçërisht Legjionarëve të Krishtit.RealAudioMP3

“Shtatë armë, për ta shpartalluar Shejtanin. Armët e shpirtit, që duhen mprehur çdo ditë me kujdes e përkushtim. I përdori, në zemër të Kishës së katërqindës, një vashë e re bolonjeze, zonjë e parë e Oborrit të markezit të Ferrarës, më pas rregulltare e shuguruar, me emrin Katerina. Për këtë murgeshë, që mori emrin e Shenjtores së madhe senese e që ishte vetëm dhjetë vjet më e re se ajo, nuk dihen shumë gjëra. Benedikti XVI deshi ta plotësonte këtë zbraztësi, duke përshkruar portretin e plotë të saj. Shembëlltyra, që e nxiti të bëhej armike e flaktë e së keqes, lind në shpirtin e rregulltares që në vitet e para të jetës murgare kur - tregoi Papa - krahas përparimit shpirtëror, Katerinës iu desh të përballonte edhe prova të mëdha, të tmerrshme e të kalonte çaste vuajtjesh të rënda shpirtërore, me të cilat e tundon pa pushim Djalli:
“Kalon një krizë të thellë shpirtërore, që e çon buzë greminës së dëshpërimit. Jeton në natën e shpirtit, e tunduar deri në atë masë, sa të dyshojë në vërtetësinë e Eukaristisë. Pas vuajtjesh të padurueshme, Zoti e ngushëllon: në një vegim, e bën ta shikojë qartë praninë e tij reale në Eukaristi. Vegimi është aq i ndritshëm e tronditës, sa Katerina nuk arrin ta shprehë dot me fjalë”.
Në vitin 1429, pasi rrëfehet tek njëri nga fretërit e vegjël, të cilin e nderon në mënyrë të posaçme, e ndërsa tashmë ka bërë kushtet, sipas rregullit të Shën Kjarës së Asizit – sheh një vegim tjetër. Benedikti XVI e përshkroi kështu këtë çast tronditës: Zoti i dëfton se ia ka falur të gjitha mëkatet. Pas kësaj, rregulltarja kalon çaste asketizmi të thellë shpirtëror e pjekurie të vrullshme njerëzore. Pikërisht në këtë periudhë zbulon shtatë armët, që duhen ngjeshur në luftën kundër së keqes:
1. Të kesh kujdes e zell për të bërë gjithnjë të mirën; 2. ta kuptosh se i vetëm nuk mund të bësh kurrë asgjë vërtet të mirë; 3. të besosh ngultas në Zotin e, për dashuri të tij, të mos kesh frikë nga asnjë betejë kundër së keqes, si në botë, ashtu edhe në vetvete; 4. t’i meditosh shpesh ngjarjet e fjalët e jetës së Jezusit, posaçërisht mundimet e vdekjen e tij; 5. të mos harrosh se të gjithë do të vdesim një ditë; 6. t’i ngulitësh mirë në mendje të mirat e Parajsës; 7. të mos e ndash nga dora Shkrimin Shenjt, ta kesh për zemër, që të t’i drejtojë të gjitha mendimet, të gjitha veprimet”.
Ç’program i bukur shpirtëror – theksoi Papa - e, pasi kishte nënvizuar këto armë të mprehta për t’u pëdorur në luftë kundër Shejtanit, kujtoi se vlejnë edhe për sot, për secilin nga ne.
Katerina, e cila që në kohët kur ndiqte dëfrimet mondane ishte treguar tejet modeste, duke rënë në sy për hir e mirësjellje të veçantë, bëhet tani një rregulltare e shndërruar nga dashuria e Krishtit, e aftë për përvujtëri të thellë, për thjeshtësi zemre e zell të jashtëzakonshëm misionar, të cilin e dëshmon konkretisht ditë për ditë:
Në kuvend, Katerina, ndonëse ishte mësuar në oborrin ferrarez, punon si rrobalarëse, rrobaqepëse, bukëpjekëse. Madje kujdeset edhe për kafshët shtëpijake. E të gjitha punët që i besohen, edhe shërbimet më të përvujtura, i kryen me dashuri, me gatishmëri të përhershme, duke u dhënë simotrave, një dëshmi të ndritshme. E kjo, sepse shenjtja e ardhshme shikon tek mosbindja atë mburrje shpirtërore, që i rrënon të gjitha virtytet e tjera”.
Nga shenjtorja bolonjeze, e cila nga fundi i jetës u bë edhe abateshë, vjen deri në kohët tona – theksoi Benedikti XVI – një ftesë e fuqishme për të vijuar rrugën e jetës duke shtrënguar fort në dorën tonë, dorën e Zotit, për të ecur kështu dorë për dorë, duke e konsideruar autoritetin si mjet për t’i shërbyer atij, që drejton:
Kështu na thotë edhe ne: guxim, edhe në natën e fesë, edhe mes dyshimeve të shumta, që mund të të pushtojnë, mos e lësho dorën e Zotit, ec dorë për dorë me të, beso në mirësinë e Zotit: kjo do të thotë të ecësh në rrugë të drejtë! E dua të nënvizoj edhe një aspekt tjetër, atë të përvujtërisë së saj të madhe: është njeri, që nuk dëshiron të jetë dikush a diçka; nuk i pëlqen të duket, nuk dëshiron të sundojë. Dëshiron të shërbejë, të bëjë vullnetin e Zotit, të jetë në shërbim të të tjerëve. E pikërisht për këtë autoriteti i Katerinës është i besueshëm, nga që duket qartë se për të autoritet do të thoshte pikërisht t’u shërbejë të tjerëve”.

 
Pas përmbledhjes së katekizmit në gjashtë gjuhë të ndryshme, Papa u drejtoi një përshëndetje të veçantë e jashtëzakonisht të përzemërt, Legjionarëve të Krishtit dhe anëtarëve të degës laikale, lëvizjes “Regnum Christi”, ardhur nga vende të ndryshme të botës në Sallën e Palit VI, të kryesuar nga delegati i tyre papnor, kardinali Velazio De Paolis. E, ndërmjet të tjerëve, Papa përshëndeti edhe Misionaret Shekullare Skalabriniane, që kremtojnë 50-vjetorin e Institutit të tyre, lindur - siç kujtoi Benedikti XVI – nga karizma e ipeshkvit të Lum, Gjovani Batista Skalabrini, për të mbjellur farën e Ungjillit në vatrat e mërgimtarëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.