2010-12-28 15:55:16

Të krishterët në botë diskriminohen e persekutohen, nën syrin indiferent të mjeteve të komunikimit


(28.12.2010 RV)Në ditët kur kujtohet edhe Shën Shtjefni, martiri i parë kristian, Kisha ndjehet posaçërisht pranë të gjitha bashkësive të persekutuara të botës. Prandaj gjatë Mesazhit të Krishtlindjes, Papa i lartoi Zotit lutjen “... që të mos e humbasin guximin për shkak të kufizimeve të lirisë së fesë e të ndërgjegjes, duke ngulmuar në besnikërinë ndaj Krishtit e Kishës së Tij e duke e mbajtur gjallë flakën e shpresës. Dashuria e “Zotit-me-ne” – theksoi Papa - u dhëntë durim të gjitha bashkësive të krishtera, që përballojnë diskriminime e persekutime e i frymëzoftë liderët politikë e fetarë të impenjohen për respektimin e plotë të lirisë fetare të të gjithëve”.
E thirrje të fuqishme për t’i dhënë fund urrejtjes kundër të krishterëve në botë, Papa bëri edhe më 20 dhjetorin e kaluar, në fjalimin drejtuar Kuries Romake. Kohët e fundit u fol shumë edhe për çështjen e Azia Bibit, nënës së pesë fëmijëve, dënuar me vdekje në Pakistan për blasfemi. Gjithsesi, mund të themi me plot gojën se persekutimet e të krishterëve nuk zënë vendin e duhur në mjetet e komunikimit masiv. Madje, zenë tepër pak vend. Në rastin më të mirë, ndrydhet në një skutë gazete, gjithë ajo dhimbje, nga njëra anë, e gjithë ajo urrejtje krejt e pakuptueshme kundër bijve të dritës e të paqes, nga ana tjetër. Nuk mund të mos i bëjmë vetes pyetjen: pse? Përgjigjet atë Bernardo Çervelera, drejtor i agjensisë AziaNjuz:RealAudioMP3

Përgjigje: - Është diçka e mirë që rasti i Azia Bibit arriti në faqet e para të gazetave të mbarë botës, sepse më në fund hapi një dritare për të parë situatën e tmerrshme të të krishterëve në Pakistan: janë pak, shumë pak, e megjithatë, të sulmuar si asnjëherë, si në asnjë vend. Nuk shtypen nën thembër vetëm nga pikëpamja shoqërore, duke ua mbyllur portat e punëve të zgjedhura, të pozitave të rëndësishme, por kërcënohen edhe me ligjin mbi blasfeminë, që i sulmon krejt befasisht, me një dhunë të pabesueshme. Azia Bibi është simbol i gjithë kësaj situate, i gjithë kësaj vuajtjeje, kësaj dhimbjeje, këtij mohimi, por edhe i gjithë dëshmisë heroike të pakicës së krishterë në Pakistan.

Pyetje: - Cilat janë situatat më shqetësuese, duke pasur parasysh sidomos vitin që po numëron ditët e fundit...

Përgjigje: - Një nga situatat, që ngjall më shumë shqetësim në botën e Lindjes së Mesme, është ajo e Irakut, ku qeveria nuk është absolutisht e zonja të garantojë sigurinë e jetës së të krishterëve, të cilët gjithashtu janë pakicë, po pakicë tejet e çmuar për historinë e Irakut, për vetë vendin e për kulturën e tij. Duhet thënë se kjo situatë, kjo mungesë sigurie në Lindjen e Mesme, e ka burimin e vet në Arabinë Saudite ku, nuk duhet të harrojmë, janë një milion të krishterë, që kanë shkuar të punojnë e ku këta njerëz nuk kanë mundësi të kremtojnë asnjë meshë, të thonë asnjë lutje private e aq më pak, të ndërtojnë së paku një kapelëz, sado të vogël, nën strehën e së cilës, të mund të gjunjëzohen për pak çaste ballë për ballë me Zotin, pa pritur që dikush t’i sulmojë, çuditërisht në emër të Zotit!? Pastaj, një situatë tjetër e dhimbshme është ajo e të krishterëve të paktë në Korenë Veriore komuniste, e, si pasojë, edhe ateiste. Këtu sundon diktatura e tipit të diktaturave të Evropës Lindore e mjafton të të gjejnë një Bibël, për të të pushkatuar. Mendoj se Koreja Veriore është maja e ajsbergut të persekutimit në botën komuniste, që vijon ta quajë fenë ‘opium për popujt” e, prej këndej, edhe përpiqet ta shkulë me gjithë rrënjë, në se rrënjët do të ishin të ngulura në tokë....E, kur shikon se nuk shkulet dot, atëherë bën çmos ta shkelë nën thundrën e vet të hekurt! Kështu, pas Koresë së Veriut, natyrisht vjen Kina.

Pyetje: - Në Fjalimin drejtuar Kuries Romake, Papa bëri një thirrje të fuqishme për t’i dhënë fund kristianofobisë, urrejtjes kundër të krishterëve. Si mund të pasqyrohet ky impenjim në botën e informacionit?

Përgjigje: - Në informacion është e rëndësishme që këto fakte, këto akte dhune, të denoncohen e të bëhen të qarta për të gjithë. E kjo, sepse shpesh nga ana e perëndimit, posaçërisht, luhet nga pak ‘politika e strucit’: njerëzit, që duhet t’i hapin mirë sytë, bëjnë sikur nuk shikojnë; ata që duhet ta hapin fort gojën, sikur nuk dinë të flasin. E kjo, sepse vetëm kështu mund të vijojnë marrëveshjet tregtare, të mbetet i hapur tregu i fitimit! Ndërsa Lindja e Perëndimi duhet të dialogojnë jo vetëm për shkëmbimin e mallrave, por edhe, e kryesisht, për shkëmbimin e kulturave të tyre, për shkëmbimin e impenjimit, në mbrojtje të dinjitetit të njeriut edhe në skajet më të harruara të botës, duke hapur horizonte të reja e duke mos lejuar që lidhjet ndërmjet vendeve të ndryshme të jenë vetëm të tipit ngushtësisht ekonomik, sepse kjo e varfëron tepër vlerën e personit njerëzor.







All the contents on this site are copyrighted ©.