2010-12-27 16:19:35

Toka e Shenjtë: 2010-ta vit rekord


(27.12.2010 RV)Vërshim turistësh sivjet në Tokën Shenjte; numri i shtegtarëve të tri feve monoteiste, që vizituan Viset, ku Lindi Jezusi, këtë vit e kaloi shifrën tre milion. E afirmon lajmin Patriku i Jeruzalemit, në faqet e kanalit të internetit, cituar nga Agjensia Zenit. Posaçërisht në këtë periudhë Krishtlindjeje, hotelet e bujtinat e Betlehemit nuk kishin më asnjë vend të lirë. Si në kohën kur lindi Jezusi. 90 mijë vetë kishin zënë të gjitha dhomat e lira, duke ia kaluar shumë edhe pranive të vitit 2000, Vitit të Jubileut të krishterimit e të vizitës së Gjon Palit II. Nuk kishte asnjë vend të lirë, pra. E nuk e dimë në se kishte mbetur e lirë ndonjë shpellë. Shumica e shtegtarëve janë të krishterë (rreth 54%); kryesisht amerikanë, rusë, francezë, britanikë, gjermanë e italianë... Vendi më i vizituar - Muri i Lotëve, ku shkon 74% e shtegtarëve, pasuar nga lagjja e vjetër hebraike e Jeruzalemit (66%), Bazilika e Varrit të Shenjtë ( 53%) e sidomos, Udha e Kryqit – Kalvari. Natyrisht, Natën e Krishtlindjes, vendin e parë e zë gjithnjë Betlehemi!







All the contents on this site are copyrighted ©.