2010-12-27 16:05:57

Dhunë kundër të krishterëve në Filipine


(27.12.2010 RV)Ndërsa kremtohej mesha e parë e ditës së Krishtlindjes, në Jolo të Filipineve, shpërtheu një bombë, e vendosur nga një person, që është identifikuar tashmë. Duke dhënë këtë lajm, aspak të mirë, presidenti i Filipineve, Beninjo Akuino saktësoi se në atë zonë, kështjellë e rebelëve islamikë, ka filluar një “fushatë terrori” kundër të krishterëve. Gjatë shpërthimit në Jolo u plagosën 6 vetë, ndër të cilët edhe meshtari, që kremtonte meshën. Në ishull janë aktivë fondamentalistët islamikë të grupit Abu Sajaf, degë e Al Kaidës. Krerët myslimanë të Filipineve dënuan ashpër sulmin dhe i ftuan besimtarët islamikë të ngrihen kundër grupeve, që e përdorin fenë për interesat e tyre. Ne u lidhëm me telefon me një misionar të Institutit Papnor të Misioneve të jashtme, atë Xhani Re: RealAudioMP3
Jolo është kryeqyteti i ishullit Sulu, që ndodhet në jug të Filipineve e ku shumica e popullsisë përbëhet nga myslimanë. Atentati u bë në një kapelë, brenda një famullie, e cila ndodhet në një kamp ushtarak. Lajmet e sotme thonë se atentati mund të jetë kryer nga Xhema Islamija ose nga Abu Sajaf, grupe të lidhura me Al Kaidën. Gjendja në atë zonë është gjithnjë mjaft kritike, sidomos për bashkësitë e krishtera. Zonat e tjera të Filipineve janë më të qeta, me përjashtim të atyre, ku prania myslimane është e fuqishme.
Sipas jush, cila është arsyeja e dhunës kundër të krishterëve?
Dihet se këto grupe, të lidhura me Al Kaidën, duan t’i përzënë të krishterët nga këto zona. Kohët e fundit, janë marrë peng disa mësues të krishterë e kur i liruan, u thanë: “Është më mirë për ju të ikni, sepse në këtë zonë, nuk i duam mësuesit e krishterë!” Në zona të tjera, dhuna nuk është gjithnjë e lidhur me terrorizmin islamik. Nganjëherë, kemi të bëjmë me kriminalitet të zakonshëm, me qëllime thjesht fitimi.
Dje, në ditën kur Kisha kujtonte martirizimin e Shën Shtjefnit, Papa bëri thirrje për zgjidhjen paqësore të konflikteve, pikërisht duke kujtuar dhunën në Filipine…
Meshtarët dhe ipeshkvijtë vazhdojnë ta përsërisin pa pushim këtë, të thonë se gjëja më e rëndësishme është ta fillojmë, ose ta vazhdojmë dialogun për të kërkuar pajtimin e vërtetë e për të arritur paqen. Kjo, për të mirën e të gjithë filipinasve.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.