2010-12-25 19:45:34

Patriku i Moskës, Kirill: Mesazhi i Krishtlindjes


(25.12.2010 RV)Është ftesë për të punuar në shërbim të së mirës së përbashkët, mesazhi i Krishtlindjes i patrikut të Moskës dhe të gjithë Rusive, Kirill. “Në këtë natë të ndritur – i ftoi besimtarët patriku – ta ringjallim gëzimin shpirtëror të takimit me Shëlbuesin. Duke dëgjuar koret qiellore, fitojmë vetëdijen se lindja e Zotit është plot me kuptim pa kohë e me ndikim të menjëhershëm mbi çdo qenie njerëzore. Na zbulon të vërtetën mbi vetveten e na krijon mundësinë ta kuptojmë e ta bëjmë tonën këtë të vërtetë.
Duke cituar, në vijim, Librin e Zanafillës, patriku Kirill kujtoi se njeriun e parë Krijuesi e bëri krejt të përkryer, sipas shembëlltyrës së vet. Por Adami, duke ngritur krye kundër urdhërimeve të Zotit, i dha rrugë tjetër qëllimeve që kishte Zoti për të. Duke humbur lidhjen e gjallë me Zotin, njerëzimi vijoi të rrokullisej gjithnjë më frikshëm në humnerën e mëkatit e të vetëmburrjes. Krijoi, kështu, një hon. Po Zoti, plot me dashuri për krijesën e vet, duke dashur ta shpëtojë nga vetvetja, dërgoi në botë Birin e tij të vetëm, që ia riktheu përsosurinë njeriut duke u bërë Adami i ri, Shembulli i Krishtit - nënvizon Patriku i Moskës – i tregon çdo njeriu ç’duhet të bëjë për të përkuar me planin e Zotit për njerëzimin. Ky shembull është orientim plot shpresë, që na ndihmon të mos humbasim e të gjejmë të vetmen udhë të drejtë që të çon në jetën e vërtetë, si në tokë, ashtu edhe në amshim. E për të vijuar këtë udhë -shtoi më pas, duke cituar Letrën e Shën Palit drejtuar Korintianëve, është e nevojshme t’i përgjigjemi thirrjes së Zotit. Ne e falënderojmë Zotin jo vetëm me lutje e këngë, por edhe me vepra të mira në ndihmë të të afërmit, të popullit, të Kishës sonë . E, së fundi, thirrja: “E gjithë jeta jonë duhet të bëhet liturgji, lutje e përbashkët e vepër e përbashkët, me qëllim që të mishërojmë në jetën tonë planin e Zotit për botën e për njerëzimin”.










All the contents on this site are copyrighted ©.