2010-12-25 19:45:07

Mesazhi Urbi et Orbi i Benediktit XVI: Krishtlindja është burim shprese për çdo njeri. Papa lutet për paqe në Tokën Shenjte, pajtim ndërmjet Koreve e të krishterëve të Kinës.


(25.12.2010 RV)Lindja e Krishtit është motiv shprese për të gjithë njerëzit, posaçërisht për ata që shikojnë t’u shkelet dinjiteti: këtë pohoi me forcë Papa Benedikti XVI në mesazhin tradicional të Krishtlindjes, drejtuar sot paradite Romës e Botës nga Lozha e Bazilikës së Shën Pjetrit, transmetuar në mondovizion. Papa bëri një thirrje prekëse për paqen, që dhunohet në zona të ndryshme të botës, duke u dhënë zemër të krishterëve të persekutuar, posaçërisht në Kinë. Më pas, uroi festën në 65 gjuhë të ndryshme të botës, ndërmjet të cilave edhe “Për shumë vjet Krishtlindjen” në gjuhën shqipe, e dha edhe Bekimin apostolik Urbi et Orbi. Mijëra besimtarë, pa marrë fare parasysh kohën e ftohtë dimërore e shiun, morën pjesë me emocion të thellë në këtë kremtim të lashtë e gjithnjë të ri. Ndërmjet tyre, shumë prindër të moshuar, ardhur, më në fund pa viza, nga Shqipëria, e ndoqën vërtet me lot në sy, përkrah bijve mërgimtarë, Papën e Romës, që nuk e patën harruar as atëhere, kur shikohej në ekranin e vogël, gjysëm të shuar nga zhurmuesit, me rrezikun e arrestimit.......RealAudioMP3

“Verbum caro factum est” - “E Fjala u bë njeri” (Gv 1,14). Benedikti XVI i kumtoi me gëzim mbarë botës lajmin e jashtëzakonshëm të Lindjes së Krishtit, duke i shprehur afërsinë e tij të gjithë atyre që vuajnë për shkak të luftërave e të katastrofave natyrore si dhe të persekutuarve për shkak të besimit në Jezu Krishtin. Zoti – nënvizoi Papa në këtë ditë shprese - u bë njeri, erdhi të banojë ndër ne. Nuk është larg: është pranë, madje është “Emanueli”, Zoti-me-ne. Nuk është i panjohur, ka një fytyrë: fytyrën e Jezusit:
“Është mesazh gjithnjë i ri, gjithnjë mahnitës, sepse i tejkalon edhe shpresat më të guximshme. E sidomos, sepse nuk është thjeshtësisht kumt: është ngjarje, është ndodhi që dëshmitarë të besueshëm e panë, e dëgjuan, e prekën në Vetjen e Jezusit të Nazaretit!”.
Përballë zbulesës së Mishërimit të Fjalës - vërejti Papa - lind rishtas në shpirtin tonë pyetja: “si është e mundur?”. Fjala e korpi janë dy realitete krejt të kundërta: e si mundet Fjala e amshuar dhe e gjithëpushtetshme të bëhet njeri i brishtë e i vdekshëm?
“Nuk ka veçse një përgjigje të vetme, një fjalë të vetme: Dashuri! Kush dashuron, dëshiron të jetë bashkë me të dashurin, dëshiron të bëhet një me të, e Shkrimi Shenjt na përshkruan pikërisht historinë e madhe të dashurisë së Hyjit për popullin e vet, që arrin kulmin në Jezu Krishtin”.
Në të vërtetë – vërejti Benedikti XVI - Zoti nuk ndryshon: ai është besnik ndaj Vetvetes. Zoti nuk ndryshon kurrë: është dashuri, është ai që ishte përherë e përherë do të jetë. Është në vetvete Bashkim, Unitet në Trini e çdo vepër e tija e çdo fjalë, synon bashkimin. Mishërimi, prandaj, është kulmi i krijimit:
“Fjala u bë njeri”. Drita e kësaj së vërtete i dëftohet atij, që e pranon me fe, sepse është mister dashurie. Vetëm ata, të cilët ia hapin zemrën dashurisë, mbështillen krejtësisht me dritën e Krishtlindjes. Kështu ishte edhe në natën e Betlehemit, e kështu është edhe sot”.
Mishërimi i Birit të Zotit - vijoi Ati i Shenjtë - është ngjarje që ndodhi në histori, por në të njëjtën kohë e tejkalon historinë:
“Në natën e zezë të botës ndizet një dritë e re, që mund të shikohet vetëm me sytë e thjeshtë të fesë, mund të kapet vetëm nga zemra e butë dhe e përvujtë e njeriut, që e pret Shëlbuesin. Në se e vërteta do të ishte vetëm formulë matematike, në një farë mënyre do të imponohej vetvetiu. Por në se e Vërteta është Dashuri, kërkon fe, kërkon t’ia hapim e t’ia dhurojmë plotësisht zemrën tonë”.
Zemra jonë – nënvizoi Papa - kërkon gjithnjë një të Vërtetë, që është Dashuri. E kërkon foshnja, me pyetjet e veta çarmatosëse e nxitëse; e kërkon i riu, gjithnjë i etur për të gjetur kuptimin më të thellë të jetës së vet; e kërkojnë burra e gra në pjekurinë e moshës, për të mbajtur mbi supe barrën e familjes e të punës; e kërkon deri plaku, që ta ndihmojë për ta kryer udhën e vet mbi tokë. Njëkohësisht – pohoi Benedikti XVI - kumtimi i Krishtlindjes është dritë për popujt, për ecjen kolektive të njerëzimit përpara. Mbretëria e Zotit – kujtoi Papa - nuk është e kësaj bote, e megjithatë, është më e rëndësishme se të gjitha mbretëritë e kësaj bote:
“Është si tharm për njerëzimin; në se nuk do të ishte, do të mungonte forca, që e çon përpara zhvillimin; nxitja që të shtyn të bashkëpunosh në punën për të mirën e përbashkët, në shërbimin pa kurrfarë interesi ndaj të afërmit, në luftën paqësore për drejtësi”.
Të besosh në Zotin, që erdhi të ndajë me ne historinë tonë - shpjegoi - është inkurajim i vazhdueshëm për t’u impenjuar në këtë histori, edhe ndërmjet kontradiktave të saj. Është burim shprese për të gjithë ata njerëz, që u fyhet e u dhunohet dinjiteti, sepse Ai, që lindi në Betlehem, erdhi për ta çliruar njeriun nga rrënja e skllavërisë së tij:
“Drita e Krishtlindjes ndriçoftë përsëri në atë Tokë, ku lindi Jezusi e i frymëzoftë izraelitët e palestinezët në kërkimin e bashkëjetesës së drejtë e paqësore. Lajmi ngushëllues i ardhjes së Emanuelit, ua paqtoftë dhimbjet e i ngushëlloftë në orën e provës, bashkësitë e krishtera në Irak e në mbarë Lindjen e Mesme, duke u dhënë besim e forcë e duke i frymëzuar udhëheqësit e kombeve për solidaritet ndaj tyre. Ashtu qoftë edhe në Haiti, në favor të atyre, që vijojnë të vuajnë për shkak të pasojave shkatrrimtare të tërmetit e të epidemisë së kolerës”.
Papa u lut edhe për ata, që kohët e fundit u dëmtuan rëndë nga fatkeqësitë e natyrës në Kolumbi e Venezuelë, por edhe në Guatemalë e në Kosta Rika e sidomos, kërkoi paqe e respektim të të drejtave të njeriut atje, ku shkelen brutalisht:
“Uroj që lindja e Shëlbuesit të hapë perspektivat e paqes së qëndrueshme e të progresit të vërtetë për popullsitë e Somalisë, të Darfurit e të Bregut të Fildishtë; t’i sigurojë stabilitet politik e shoqëror Madagaskarit; të sjellë siguri e respekt për të drejtat e njeriut në Afganistan e në Paksitan; të inkurajojë dialogun ndërmjet Nikaraguas e Kosta Rikës; të favorizojë pajtimin në Gadishullin korean”.
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi edhe ata që diskriminohen, sepse dëshmojnë Ungjillin e Krishtit: “Kremtimi i lindjes së Shpërblyesit, forcoftë shpirtin e fesë, durimin e guximin në shpirtin e besimtarëve të Kishës në Kinën kontinentale”- tha Papa, e uroi...
“... që të mos e humbasin guximin për shkak të kufizimeve të lirisë së fesë e të ndërgjegjes, duke ngulmuar në besnikërinë ndaj Krishtit e Kishës së Tij e duke e mbajtur gjallë flakën e shpresës. Dashuria e “Zotit-me-ne” u dhëntë durim të gjitha bashkësive të krishtera, që përballojnë diskriminime e persekutime e i frymëzoftë liderët politikë e fetarë të impenjohen për respektimin e plotë të lirisë fetare të të gjithëve”.
Ati i Shenjtë i bëri urimet e Krishtlindjes në 65 gjuhë të ndryshme të botës, duke nisur nga gjuha italiane, për të përfunduar me atë esperanto: Dibenitan Kristnaskon kaj prosperan novjaron; guaraní: Ko navidad árape che maitei ame’ê peême e latine: Verbum caro factum est - E Fjala u bë njeri!







All the contents on this site are copyrighted ©.