2010-12-25 19:44:01

Krishtlindja në Shqipëri: mijëra besimtarë kremtojnë festën


25.12.2010 TIRANE -Mijëra besimtarë në vendin tonë festojnë sot Krishlindjen, festën më të madhe dhe më të rëndesishme të krishterimit. Meshat kane filluar që dje në mesnatë në mjaft qytete të vendit ku besimtaret katolikë i janë bashkuar festës së madhe, kremtimit të lindjes së Krishtit, ndërsa në të gdhirë të mëngjesit të sotëm, shqiptarët e besimit ortodoks ndoqën meshën dhe ndezën qirinj në Kishën Autoqefale.

Me qirinj ndër duar, duke u lutur për paqe dhe gëzim, qetësi dhe dashuri, besimtarët e krishterë kanë kryer ritet fetare rreth mesnatës në një atmosferë festive.
Ceremonia kryesore është zhvilluar ne Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku kanë qënë të pranishëm krahas qytetarëve të shumtë dhe politikanë.
Imzot Rrok Mirdita drejtoi meshën duke u uruar besimtarëve shume dashuri dhe paqe. Mesha nisi me këndimin e liturgjive, pjesë nga Bibla. Imzot Rrok Mirdita u bëri thirrje besimtareve të udhëhiqen nga mirësia dhe drejtësia.
Imzot Rrok Mirdita theksoi se “në Botë mungon paqja, por udha e paqes është udha e dashurisë. Në marrdhëniet me të tjetërt gjejmë veten”, u tha Imzot Rrok Mirdita, besimtarëve.
Dita e Krishtlindjeve, tha kreu i Konferencës Ipeshkvnore, Rrok Mirdita, "na kujton të gjithëve se sa të nevojshme janë falja, pajtimi dhe mëshira”. Me qirinj ndër, duar duke u lutur për paqe dhe gëzim, qetësi dhe dashuri, besimtarët e krishterë kanë kryer ritet fetare rreth mesnatës në një atmosferë festive.
Ndërsa në orët e para të mëngjesit të sotëm, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e Tij Anastas Janullatos, në meshën e mbajtur iu drejtua besimtarëve me urimin për të qenë më të dashur me njëri-tjetrin si dhe të respektojmë çdo formë njerëzore.
Përgjatë ditës së sotme, pritet gjithashtu që të ketë të tjera ceremoni festive, ndërsa krerët e shtetit shqiptar të zhvillojnë vizita ne katedralen e Shën Palit dhe në Kishën Ortodokse në Tiranë, për të përcjelle urimet e tyre për besimtaret katolikë dhe ata ortodoksë.
25 dhjetori, dita e shënuar e lindjes së Jezu Krishtit, që kremtohet në gjithë botën si dita e shpresës, paqes dhe dashurisë njerëzore, edhe në Shqipëri, mbas viteve ’90 kur u lejua besimi fetar, krijoi traditën e saj duke u shënuar krahas festave të tjera tradicionale në kalendarin e vitit.

FESTA NE KORCE, ELBASAN, GJIROKASTER E VLORE
KORÇE- Besimtarët e krishterë në Korçë u mblodhën në katedralen "Ringjallja e Krishtit", ku u kryen shërbesat e rastit. Mitropoliti i Korçës, hirësia e tij, Johani, gjatë meshës së krishtlindjeve theksoi se "krishtlindja na sjell gjithmonë lajmin e gëzuar qiellor se lindi shpëtimtari i krijimit dhe i gjithësisë dhe na bën thirrje që të meditojmë rreth këtij lajmi”.
Pas meshës, hirësia e tij, Johani priti vizita në Mitropolinë e Korçës. Festa e Krishtlindjeve po festohet dhe nëpër lokale dhe pikat turistike të Voskopojës dhe Dardhës.
ELBASAN-. Pas orës 00:00, besimtarët katolikë mbushën kishën Shën Piu i X - të, ku famulltari Emilio Valente drejtoi meshën. Edhe në kishën Ortodokse "Shën Maria", brenda kalasë së qytetit të Elbasanit, famulltari At Nikolla Marku, mbajti meshën e rastit duke përcjellë mesazhe për mirësi, dashuri dhe tolerancë". Urime në këtë ditë përcollën dhe përfaqësues të pushtetit lokal.
GJIROKASTËR- Krishtlindja mbodhi në Kishën e Shën Mëhillit në lagjen Varosh, si dhe në Kishën Shën Sotiri, në lagjen “Pazari i Vjetër”, mijëra besimtarë ortodoksë që mbanin në duart lule dhe qirinjë, simbol i paqes dhe dashurisë për Jezu Krishtin. At Theodhori Nikolla, udhëheqësi i meshës në Kishën e Shën Mëhillit, lexoi mesazhin e urimit të Kryepeshkopit të Kishës Ortodokse-Autoqefale, Hirësia e Tij, Anastasios Janullatos. Edhe në kishat e rrethit të Përmetit, Tepelenës, Sarandës, Delvinës, besimtarët ortodoksë dhe katolikë festuan lindjen e Krishtit.
VLORË- Qindra besimtarë të krishterë, por edhe të besimeve të tjera, morën pjesë në meshat e organizuara gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, në Kishën Katolike të këtij qyteti dhe në Kishën Ortodokse të Shën Theodhorit. Natën e Krishtlindjeve në Kishën Ortodokse të Shën Theodhorit u zhvillua Mbrëmësorja e Madhe e Krishtlindjeve dhe Mesha Hyjnore me praninë e dhjetra besimtarëve, që u drejtua nga At Konstandin Prifti.

Në orët e mëngjesit dhe paradites u zhvillua Shërbesa e Mëngjesores dhe Mesha Hyjnore, që u drejtuan nga Mitropoliti i Shenjtë i Beratit, Vlorës, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, Ignat Triandis. Duke folur përpara besimtarëve ai tha se në këtë ditë solidariteti mes njerëzve është më i dukshëm dhe jeta merr dimensione të tjera. Atmosfera më Kishën Katolike dhe atë Ortodokse të Shën Theodhorit, ishte po aq festive edhe gjatë orëve të paradites.
KRISHTLINDJE QUHET LINDJA NE MISH E ZOTIT
Betlehemi është qyteti i lindjes së Krishtit para dy mijë vjetësh, i cili erdhi në jetë në një kasolle.
Në shërbesat që i paraprijnë Krishtlindjes lexohen pjesët e Dhiatës së Vjetër rreth Lindjes së Krishtit, duke theksuar profecinë e Mikeas, e cila e parathotë Bethlehemin si vendlindjen e Shpëtimtarit dhe profecitë e Isaisë rreth ardhjes dhe karakterit të Mesias: Vetë Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, një virgjëreshë do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë, të cilin do ta quajnë Emanuel, që do të thotë Perëndia është me ne (Isaia 7:14-15). Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të jetë mbretërimi dhe do të quhet i Mrekullueshëm, Këshilltar, At i Përjetshëm, Princ i Paqes. Nuk do të ketë të sosur rritja e mbretërimit dhe paqes së tij (Isaia 9:6-7).
Festa e Krishtlindjes quhet dhe Lindja në Mish e Zotit dhe Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Në Krishtlindje kremtohet lindja si njeri e Birit të Perëndisë, të atij që së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë është me të vërtetë Perëndi në jetë të jetëve. Prandaj në Kishë këndohet: Virgjëresha lindi sot të përmbiqenshmen Fjalë, edhe dheu i blaton të paafruarit shpellën; Engjëjtë, me barinjtë po lavdërojnë, Magët pra, bashkë me yllin po udhëtojnë; se për ne ka lindur Krishti, si djalë foshnjë, i parëjetëshmi Zot.
Festa e Krishtlindjes është kremtimi i shpëtimit të botës nëpërmjet Birit të Perëndisë, i cili u bë njeri për ne, që me anën e tij, ne të mund të bëhemi hyjnorë, bij të Perëndisë Atë, me anë të banimin ndër ne të Shpirtit të Shenjtë.
 

SI LINDI FESTA E TE KRISHTEREVE
Krishtlindja (edhe "Kërshëndellat" apo shkurt "Kshnellat" ndër besimtarët katolikë) është një festë fetare e krishterë. Të krishterët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezus Krishtit; në kishat e Lindjes festohet më 7 janar, për shkak të kalendarit Julian. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjeshtë simbolike, dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se Tij.
Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes.
Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes. Krishtlindja është festa në të cilën të krishterët dëshirojnë më shumë se kurrë paqe e dashuri në botë.
Festes i bashkohet dhe agjencia e lajmeve ne internet, BalkanWeb. Uron gjithe besimtarët e krishterë, Gëzuar Krishtlindjet!
(d.b/BalkanWeb)
 









All the contents on this site are copyrighted ©.