2010-12-25 19:48:49

Irak: Kisha i fton besimtarët t’u përgjigjen me fe kërcënimeve të Al Kaedës.


(25.12.2010 RV)Të krishterët në Irak e kremtuan festën e madhe të Krishtlindjes në atmoferën e kërcënimeve, publikuar nga Al Kaeda. E pritën lindjen e Krishtit në shpirt, pa meshë mesnate, pa festime të tjera, në atmosferë zije, duke kujtuar të vdekurit e shumtë të kërdisë terroriste në Katedralen siro-katolike të Bagdadit. Al Kaeda kërkon kthimin në fenë islame të të gjithë të krishterëve. Por, pavarësisht nga kërcënimet, asnjë nuk e braktisi fenë, sepse kjo është forca e besimtarëve. Mëkëmbësi ipeshkvnor kalde i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni, komenton: “Ky është realiteti i trishtuar, në të cilin jetojnë bashkësitë tona të krishtera. E festuam Krishtlindjen - pohon Prelati - pa meshë mesnate, duke e kremtuar heret, në agim, Meshën e së kremtes së madhe. Terroristëve, që na kërcënojnë, u përgjigjemi me fe e paqe, si na mëson Papa në mesazhin e tij të fundit për paqen. Duke u kujtuar se edhe Kurani i ka për zemër vlerat e lirisë, të tolerancës e të respektit.
Në se vëmë në jetë atë që bashkon, paqja nuk do të mbetet vetëm mirazh, por do të bëhet realitet! Prandaj mesazhi ynë i Krishtlindjes për 500 mijë besimtarët tanë, nga 800 mijë që ishin në vitin 2003, vijon të jetë: “Mos kini frikë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.