2010-12-25 19:43:45

Festohen Krishtlindjet. Urojnë presidenti Topi, Berisha dhe kreu i PS


25. 12. 2010 - Kreu i shtetit dhe drejtuesit e politikës shqiptare kanë uruar sot gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjeve. Në përshëndetjet e rastit, kreu i shtetit Bamir Topi, kryeministri Sali berisha dhe lideri i opozitës, Edi Rama kanë theksuar se 'Krishtlindjen sjellin mesazhin e forcës dhe të dashurisë.

Por ndërkohë që lideri socialist Edi Rama i ka quajtur këto Krishtlindje të vështira, që do kalohen me forcën e dashurisë, kreu i qeverisë, Sali Berisha ka theksuar se lindja e Krishtit festohet këtë radhë me lëvizjen e lirë.

Topi
Me rastin e Krishtlindjeve, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta Topi vizituan sot Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë, ku u pritën nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos dhe më pas Selinë e Kishës Katolike në Tiranë, ku u mikpritën nga Arqipeshkvi metropolit i Tiranës dhe Durrësit dhe Kryetar i Konferencës Ipeshkvnore, Imzot Rrok Mirdita.

Një festë që të inspiron më shumë paqe, më shumë dashuri dhe më shumë harmoni e ka quajtur Topi kete dite.
"Dëshiroj që në të njëjtën kohë të përshëndes të gjithë popullin shqiptar, i cili në shekuj ka ditur të ushqejë me shumë respekt e dashuri atë që është ndoshta elementi më i vyer i shoqërisë sonë - harmoninë fetare! Dhe besoj sot, ka më shumë mesazhe për paqe, për qetësi, por besoj që mesazhi që vjen natyrshëm për shoqërinë tonë është - më pak tension. Më shumë mirëkuptim, më shumë marrëveshje, sepse gjërat e mira bëhen së bashku dhe gjërat e mira natyrisht që bëhen kur jemi në harmoni siç ndodh në familje"- tha ai.

Berisha
Kryeministri Sali Berisha gjatë një prononcim për mediat theksoi se këtë vit Krishtlindjet i gjejnë shqiptarët të lirë.

"Kjo ditë i bashkon njerëzit. Uroj popullin shqiptar që të festojë Krishtlindjet sa më mirë. Vjet i festuam si anëtarë të NATO-s, sivjet si qytetarë të lirë që lëvizin në mbarë Evropën. Jam i bindur se Krishtlindje më të mira do të na gjejnë", tha Berisha.


Ai uroi në mënyrë të veçantë banorët e Shkodrës duke iu garantuar atyre mbështetjen maksimale.
"Një mesazh kam për banorët e Shkodrës, të cilët kremtojnë këtë ditë të madhe në rrethana shumë të vështira. Por sërish ata, ashtu si gjithë shqiptarët, kanë një motiv për të festuar Krishtlindjet, pasi nuk kemi pasur asnjë jetë të humbur. Ka një solidarizim vllazëror nga mbarë shqiptarët dhe nga gjithë bota. I garantoj se qeveria do të vazhdoj t'i mbështesë ata. Gëzuar!", tha më tej ai.

Rama
Kreu i PS-së Edi Rama përcolli urimet e tij pas vizitës në Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. "Këtë vit Krishtlindjet e gjejnë Shqipërinë në vështirësi, por Krishtlindjet sjellin mesazhin e dashurisë dhe forcës për të përballuar. E ardhmja më e mirë në një ditë të afërt"- tha Rama.

Besimtarët e krishterë festojne Krishtlindjet. Qindra vete u mblodhen mbreme ne mesnate per te pritur lindjen e Krishtit ne Katedralen e Shën Palit në Tirane. Moment ky qe cilesohet si nje nga me te rendesishmit ne kalendarin kristian.

Mesha e shenjtë u mbajt nen drejtimin e arkipeshkvit katolik të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, i cili i uroi besimtareve më shumë paqe, mirësi dhe afrimitet me njëri-tjetrin.

Ndërkohe, sot në orët e para të mëngjesit, uroi Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e Tij Anastas Janullatos. Ne meshen e mbajtur per kete rast, ai iu drejtua besimtarëve me urimin për të qenë më të dashur dhe me afer me njëri-tjetrin.

Marrë nga Gazeta “Shekulli”







All the contents on this site are copyrighted ©.