2010-12-25 12:31:06

Benedikti XVI: Mesazhi ‘Urbi et Orbi” – “Romës e Botës” (tekst i plotë)


(25.12.2010 RV)Verbum caro factum est” - “E Fjala u bë njeri” (Gv 1,14).
Të dashur vëllezër e motra, që më dëgjoni nga Roma e nga bota mbarë, me gëzim ju kumtoj mesazhin e Krishtlindjes: Zoti u bë njeri, erdhi të banojë ndër ne. Zoti nuk është larg: është pranë, madje është “Emanueli”, Zoti-me-ne. Nuk është i panjohur, ka një fytyrë: këtë të Jezusit.
Është mesazh gjithnjë i ri, gjithnjë mahnitës, sepse i tejkalon edhe shpresat më të guximshme. E sidomos, sepse nuk është thjeshtë kumt: është ngjarje, është ndodhi që dëshmitarë të besueshëm e panë, e dëgjuan, e prekën në Vetjen e Jezusit të Nazaretit! Duke ndenjur me të, duke vërejtur veprimet e tij e duke ia dëgjuar fjalët, njohën në Jezusin, Mesinë; e duke e parë të ringjallur, pasi ishte kryqëzuar, u siguruan se Ai, njeri i vërtetë, ishte njëkohësisht Hyj i vërtetë, Biri i vetëm i ardhur nga Ati, përplot me hir e me vërtetësi (cfr Gjn. 1, 14).

 
“E Fjala u bë njeri”. Përballë kësaj zbulese, lind rishtas në shpirtin tonë pyetja: “si është e mundur?”. Fjala e korpi janë dy realitete krejt të kundërta: e si mundet Fjala e amshuar dhe e gjithëpushtetshme të bëhet njeri i brishtë e i vdekshëm? Nuk ka veçse një përgjigje të vetme, një fjalë të vetme: Dashuri! Kush dashuron, dëshiron të jetë bashkë me të dashurin, dëshiron të bëhet një me të, e Shkrimi Shenjt na përshkruan pikërisht historinë e madhe të dashurisë së Hyjit për popullin e vet, që arrin kulmin në Jezu Krishtin.

Në të vërtetë Zoti nuk ndryshon: ai është besnik ndaj Vetvetes. Ai, që krijoi botën, është po ai që thirri Abrahamin e i tregoi emrin e vet Moisiut: Unë jam ai që jam... Hyji i Abrahamit, i Izakut e i Jakobit... Hyj i dhëmbshur e i mëshirshëm, i pasur me dashuri e besnikëri (cfr Es 3,14-15; 34,6). Zoti nuk ndryshon kurrë: është dashuri, është ai që ishte përherë e përherë do të jetë. Është në vetvete Bashkim, Unitet në Trini e çdo vepër e tija e çdo fjalë, synon bashkimin. Mishërimi është kulmi i krijimit. Kur në kraharorin e Marisë, për vullndesë të Atit e për virtyt të Shpirtit Shenjt u formua Jezusi, Biri i Hyjit bërë njeri, krijimi arriti majën e vet më të lartë. Zoti, krijues e zotërues i universit, Logos, niste të jetonte në botë, në hapësirë e kohë.

“Fjala u bë njeri”. Drita e kësaj së vërtete i dëftohet atij, që e pranon me fe, sepse është mister dashurie. Vetëm ata, të cilët ia hapin zemrën dashurisë, mbështillen krejtësisht me dritën e Krishtlindjes. Kështu ishte edhe në natën e Betlehemit, e kështu është edhe sot. Mishërimi i Birit të Zotit është ngjarje që ndodhi në histori, por në të njëjtën kohë e tejkalon historinë. Në natën e zezë të botës ndizet një dritë e re, që mund të shikohet vetëm me sytë e thjeshtë të fesë, mund të kapet vetëm nga zemra e butë dhe e përvujtë e njeriut, që e pret Shëlbuesin. Në se e vërteta do të ishte vetëm formulë matematike, në një farë mënyre do të imponohej vetvetiu. Por në se e Vërteta është Dashuri, kërkon fe, kërkon t’ia hapim e t’ia dhurojmë plotësisht zemrën tonë.
E ç’kërkon vallë zemra jonë, në se jo një të Vërtetë, që të jetë Dashuri? E kërkon foshnja, me pyetjet e veta çarmatosëse e nxitëse; e kërkon i riu, gjithnjë i etur për të gjetur kuptimin më të thellë të jetës së vet; e kërkojnë burra e gra në pjekurinë e moshës, për të mbajtur mbi supe barrën e familjes e të punës; e kërkon deri plaku, që ta ndihmojë për ta kryer udhën e vet mbi tokë.

“Fjala u bë njeri”. Kumti i Krishtlindjes është dritë edhe për popujt, për ecjen kolektive të njerëzimit. “Emanueli”, “Zoti-me–ne”, erdhi si Mbret i drejtësisë e i paqes. Mbretëria e tij – e dimë - nuk është e kësaj bote, e megjithatë, është më e rëndësishme se të gjitha mbretëritë e kësaj bote: është si tharm për njerëzimin; në se nuk do të ishte, do të mungonte forca, që e çon përpara zhvillimin; nxitja që të shtyn të bashkëpunosh në punën për të mirën e përbashkët, në shërbimin pa kurrfarë interesi ndaj të afërmit, në luftën paqësore për drejtësi. Të besosh në Zotin, që erdhi të ndajë me ne historinë tonë, është inkurajim i vazhdueshën për t’u impenjuar në këtë histori, edhe ndërmjet kontradiktave të saj. Është burim shprese për të gjithë ata njerëz, që u fyhet e u dhunohet dinjiteti, sepse Ai, që lindi në Betlehem, erdhi për ta çliruar njeriun nga rrënja e skllavërisë së tij.

Drita e Krishtlindjes ndriçoftë përsëri në atë Tokë, ku lindi Jezusi e i frymëzoftë izraelitët e palestinezët në kërkimin e bashkëjetesës së drejtë e paqësore. Lajmi ngushëllues i ardhjes së Emanuelit, ua paqtoftë dhimbjet e i ngushëlloftë në orën e provës, bashkësitë e krishtera në Irak e në mbarë Lindjen e Mesme, duke u dhënë besim e forcë e duke i frymëzuar udhëheqësit e kombeve për solidaritet ndaj tyre. Ashtu qoftë edhe në Haiti, në favor të atyre, që vijojnë të vuajnë për shkak të pasojave shkatrrimtare të tërmetit e të epidemisë së kolerës. E uroj që të mos harrohen edhe ata, që kohët e fundit u dëmtuan rëndë nga fatkeqësitë e natyrës, në Kolumbi e Venezuelë, por edhe në Guatemalë e në Kosta Rika.

Uroj që lindja e Shëlbuesit të hapë perspektivat e paqes së qëndrueshme e të progresit të vërtetë për popullsitë e Somalisë, të Darfurit e të Bregut të Fildishtë; t’i sigurojë stabilitet politik e shoqëror Madagaskarit; të sjellë siguri e respekt për të drejtat e njeriut në Afganistan e në Paksitan; të inkurajojë dialogun ndërmjet Nikaraguas e Kosta Rikës; të favorizojë pajtimin në Gadishullin korean.

Kremtimi lindjes së Shpërblyesit, forcoftë shpirtin e fesë, durimin e guximin në shpirtin e besimtarëve të Kishës në Kinën kontinentale, që të mos e humbasin guximin për shkak të kufizimeve të lirisë së fesë e të ndërgjegjes, duke ngulmuar në besnikërinë ndaj Krishtit e Kishës së Tij e duke e mbajtur gjallë flakën e shpresës. Dashuria e “Zotit-me-ne” u dhëntë durim të gjitha bashkësive të krishtera, që përballojnë diskriminime e persekutime e i frymëzoftë liderët politikë e fetarë të impenjohen për respektimin e plotë të lirisë fetare të të gjithëve.
 Të dashur vëllezër e motra, “Fjala u bë njeri”, erdhi të banojë ndër ne, është Emanueli. Zoti që u bë i afërmi ynë. Ta kundrojmë së bashku këtë mister të madh të dashurisë, t’ia hapim zemrat, të ndriçohen nga drita, që shkëlqen në Shpellën e Betlehemit. Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.