Sipas Profesor Eqrem Çabejt* fjalën Kërshëndellë, Mikloshiçi e Majeri e nxirnin nga
latinishtja: “Christi Natalia”, ndërsa Atë Gjergj Fishta na e shpjegon këtë fjalë
me mjetet e shqipes: Krisht – këndellë “Këndellja e Krishtit”- e Atë Bernardin Palaj
e quan Sh’ Kndella, që do të thotë këndellje apo përtëritje e çdo gjëje. Gjithsesi
ndikimi i emrit Krisht me etimologji popullore nuk mund të mohohet. Për herë të parë
fjala përdoret në vepren e Buzukut “mbas Kreshendellsh”; Budi e përdor në trajtën
“Natecë Kërshëndellesë”. Pra fjala “Kërshëndellë” do të thotë “të lemit e Krishtit”. Në
Jug të Shqipërisë, sipas Hahnit, Kërshëndellat janë gjashtë javët e kreshmeve që para
Kërshëndellave e deri te Teofania. Fjala Krishtlindje, që përdoret sot rendom për
kremtimin e lindjes së Krishtit, pas gjase është një përkthim, një kalk i ri i fjalës
greke. Cila është tradita e lashtë shqiptare e festës? Kërshëndellat zëvendësuan
festën e moçme të Natës së Buzmit, trashëguar që prej kohëve të lashta. Buzmi, simbol
i jetës së re, i kthimit të motit kah pranvera, u bë simbol i Hyjnisë që lind, i Krishtit.
Krishti vjen për t’i dhënë fund së vjetrës e të gjithë të kqijave të saj. Krishti
rrafshon të vjetrën. E nisë jeta me urimin e së resë: me gjeth e me bar, me kingja
e me tambel të bardhë, me shpresë për një të ardhme më të mirë. Poeti Don Prenkë Ndrevashaj
i këndon kështu në poemthin “Buzmi”**: Ushton flaka lakmueshem e i perqafet Njanit
unak herë tjetrit, Si Foshnja Ejllore; Rroket me zemra të përgjumshme e u
uron kënaqe e bekim!” Kështu, festa pagane e buzmit u kristianizua dhe në Shqipëri;
që shumë kohë para pushtimit otoman, u kremtua festa e madhe: lindja e Zotit tonë
Jezu Krishtit që, siç shkruan dom Ndrevashaj, nuk harron me u ndalë çdo vjetë mes
rranxave të vetmueme: “O Natë e bardhë, me shekuj tu bame flí te këto rranxa
të vetmueme, në luftë me jetë, E me duhma t’ortekut ktu për bri! Veç ti s’harron
me u ndalë te na çdo vjetë!”** _____________________________ * Çabej “Studime
Gjuhësore” Rilindja, Prishtinë, 1976, fq.280
** Don Prenkë Ndrevashaj “ Buzmi”,
“Hylli i Dritës” 1-2, Tiranë, 1994 fq. 65-66.