Krishtlindja është e kremtja e dhantisë që Hyji i dhuron të gjithë banorëve të Tokës,
kështuqë gëzimi i tyre të shkëlqejë si drita ndër terrinat e natës.
Hyji na
dhuron një shenjë dashurie; na bën dhanti gjënë më të çmuar, më të rëndësishme, më
të bukur: Birin e tij të dashur ! Jezu Krishti është dhantia e Hyjit! Kjo dhanti
është prova më e madhe e dashurisë që ka për ne Ati ynë që është në qiell.
Betlehemi,
drejt të cilit po shtegtojmë, ndodhet ndër malësitë e Judesë; është qyteti ku lindi
Davidi, bir barinjsh, që do të bëhej mbreti i madh i Izraelit. Është edhe qyteti i
etërve të Shën Jozefit. Ndryshon shumë nga Jeruzalemi, kryeqyteti krenar që ndodhet
7 kilometra më në veri të vendit.
Jezusi që lind është shpëtimtari. Fjala shpëtimtar
apo shëlbues, përdorej shumë në atë kohë të largët. E do të përdorej edhe më vonë,
deri në ditët tona e në ditët që do të vijnë... Njerëzit kërkonin, kërkojnë, do të
kërkojnë një shpëtimtar... Edhe perandori romak asokohe quhej “Shpëtimtari”! Po
Jezusi nuk është Perandor. Nuk është shpëtimtar njerëzor! Ai është Mesia, është
Zoti! E grazhdi? Të gjithë e dinë se ç’do me thënë grazhd: është
vendi ku vihet ushqimi për bagëtitë. Po grazhdi për të cilin po flasim është simbolik,
është shtrati i parë i Jezusit, që lindi i varfër ndërmjet të varfërve. Jezusi
i posalindur do ta pushonte shtatin në një grazhd, sepse për të vend tjetër nuk u
gjet. Barinjve u jepet pikërisht ky shenj, që të mund ta njohin Zotin: “Do të gjeni
një fëmijë që prehet në një grazhd”. E ata shkuan dhe e gjetën. Po sot, ku ndodhet,
që të mundemi ta takojmë edhe ne, që të mundemi ta adhurojmë ?
-Miq, të shpejtojmë
hapin udhës së Betlehemit! Dhantia e Hyjit po vjen përsëri në një grazhd: afrohuni
e do ta takoni rishtas Birin e Hyjit, lindur në varfëri.