2010-12-23 15:39:22

Mësimet e Papës mbi Krishtlindjen: prej dymijë vjetësh, risia e takimit me Zotin Foshnje, që na fton të gëzojmë e të galdojmë


Duhet hapur zemra, duhet gjetur në një kënd të saj, gatishmëria për të jetuar thelbin e Krishtlindjes, takimin me Atë, që vjen të banojë mes nesh, takimin me Jezu Krishtin, Birin e Zotit bërë njeri. Me këto fjalë, Papa shpjegoi dje në audiencën e përgjithshme, se si duhen përgatitur të krishterët për Krishtlindje. Ajo e takimit me Fëmijën Hyjnore është një temë, që Benedikti XVI e ka prekur shpesh.

Çdo Krishtlindje, e njëjta histori, por jo ajo që filloi 2000 vjet më parë në Betlehem. Është historia e biskotave, dhuratave, pushimeve e lloj-lloj xhinglave, që trumbetohen në tregjet e gjithë botës, duke e kthyer atë në një lloj parajse të rreme, ku gjithçka duket sikur shkon mirë e gjithshka është e shndritshme. Gjithnjë njëlloj!
Krishtlindja e 2000 vjetëve më parë s’kishte asgjë të tillë, përveçse yllit kometë lart në qiell. E vërtet, pak vetë e kuptuan se gjendeshin në prag të një bote të re, ku qielli e toka, sapo ishin prekur ndërmjet tyre, në atë natë, që dje, Benedikti XVI e quajti “nata e botës”.
U takuan një fëmijë i sapolindur dhe një grup barinjsh, Zoti njohu ata për të cilët kishte ardhur e njerëzit e adhuruan, pa e ditur se do t’i shpëtonte nga mëkati i kësaj bote. Për Krishtlindje pra, nuk kemi alternativë tjetër: duhet të shkojmë në atë takim, duke lënë mënjanë zhurmën dhe stresin e festës për një Lindje, që nuk është imazhi i ndonjë marke, por një mister, i cili pa reklamë, rrezikon të kalojë në heshtje:
“Zoti na tregon “foshnjen” e përvujtë për të fituar mbi kryelartësinë tonë. Ndoshta do të tërhiqeshim më lehtë para pushtetit, ose para urtisë; por Ai nuk do që të tërhiqemi; i bën thirrje zemrës dhe vendimit tonë të lirë për ta pranuar dashurinë e Tij. U bë i vogël për të na çliruar nga pretendimi njerëzor i madhështisë, që vjen nga mendjemadhësia; u mishërua lirisht për të na bërë ne vërtet të lirë, të lirë ta duam” (Audienca e përgjithshme, 17 dhjetor 2008)
Megjithatë, dikush e refuzon lirinë për ta dashur atë Fëmijë. Për shkak të përbuzjes së llogaritur, ose të indiferencës, ose të ndonjë ndjenje tjetër! E prapë se prapë, njerëzit tërhiqen nga ai takim, që nuk shkulet lehtë nga zemra:
“Në një farë mënyre, njerëzimi pret Zotin, afërsinë e Tij. Por kur arrin çasti i shumëpritur, nuk ka vend për Të. Është kaq i zënë me vetveten, ka nevojë për kaq shumë kohë e hapësirë për gjërat e veta, sa të mos mbetet asgjë për të tjerët – për të afërmin, për të varfërin, për Zotin” (Mesha e Natës së Krishtlindjes, 25 dhjetor 2007).
Por Zoti, pohon Benedikti XVI, nuk e lë veten jashtë këtij takimi. Misteri i Betlehemit – pat thënë disa vjet më parë, në këtë kohë të vitit – na zbulon Zotin-me-ne, Hyjin e afërt, e jo thjesht në kuptimin kohor, apo hapësinor. Ai është afër, sepse, si të thuash, është ‘martuar’ me humanitetin tonë:
“Gëzimi i krishterë lind pra, nga kjo siguri: Zoti është afër, është me mua, është me ne, në gëzime e dhimbje, në shëndet të mirë e në sëmundje, si shok e bashkëshort besnik. E ky gëzim është i gjallë edhe në sprova, në vetë vuajtjen e, nuk mbetet në sipërfaqe, por në thellësitë e shpirtit të njeriut, që ia beson veten Zotit e ka shpresë tek Ai” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 16 dhjetor 2007)
Të krishterët, që më shumë se kushdo tjetër duhet të jenë në gjendje të lenë mënjanë zhurmën e shkëlqimin e rremë të botës për heshtjen e shpellës së Betlehemit, janë të thirrur ta përtërijnë takimin me Hyjin, vit për vit, duke ia hapur Atij zemrën:
“Ne na takon t’i hapim dy kanatësh portat për ta pritur. Të mësojmë nga Maria e Jozefi: të vihemi me fe në shërbim të planit të Zotit. Edhe kur nuk e kuptojmë plotësisht, t’i besojmë urtisë dhe mirësisë së Tij. Të kërkojmë para së gjithash, Mbretërinë e Hyjit, e Provania Hyjnore do të na ndihmojë. Për shumë vjet Krishtlindjen të gjithëve!” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 20 dhjetor 2009).
 







All the contents on this site are copyrighted ©.