2010-12-23 15:43:45

Krishtlindja në Betlehem, dramatike për të krishterët. Kryqi nuk mund të jetë dhuratë.


(23.12.2010 RV)Kush shkon për Krishtlindje në Betlehem nuk mund të blejë një kryq si kujtim nga udhëtimi në Tokën Shenjte. Në Jeruzalem e Hebron prodhohen dhe shiten bluza me kishën e Lindjes së Krishtit, por pa kryqin. Për shkak të rritjes së fondamentalizmit islamik në territoret palestineze, kryqi është hequr edhe nga bluzat e skuadrave të futbollit. Samir Kumshijeh, gazetar dhe drejtor i televizionit katolik të Betlehemit, pohon: “Dua të bëj një fushatë për t’i ftuar njerëzit të mos i blejnë këto prodhime, pasi heqja e kryqit është paralajmërim për të krishterët: është njëlloj si të pohosh se Jezusi nuk është kryqëzuar kurrë”.
Si çdo vit, mijëra vetë, besimtarë, turistë dhe autoritete nga e gjithë bota do ta mbushin plot Kishën e Lindjes së Krishtit në Betlehem, për meshën e mesnatës, më 24 dhjetor. Ajo do të kremtohet nga patriku latin i Jeruzalemit. Por pjesëmarrja e besimtarëve nga i gjithë globi nuk mund ta fshehë faktin se vetëm në Betlehem, nga viti 2002 deri më sot, të krishterët janë zvogëluar në numër, nga 18 mijë në 11 mijë vetë. Ndërkaq, në Jeruzalem jetojnë vetëm 15.400 të krishterë, pra 2% e popullsisë. Edhe këtu, 50% më pak, në krahasim me vitin 1948, kur të krishterët përfaqësonin 20% të popullsisë së qytetit. Nëse eksodi i të krishterëve nga Toka e Shenjtë do të vazhdojë, Kisha e Lindjes së Krishtit, vazhdon gazetari për agjensinë katolike Azianjuz, do të kthehet në muze. Por, paralajmëron, “nëse nuk ka më të krishterë në Tokën Shenjte, nuk mund të ketë më në asnjë vend tjetër”.








All the contents on this site are copyrighted ©.