2010-12-23 07:14:56

Krishtlindja: Jezusi i sjelltë njerëzimit paqe e drejtësi”.


Çdo i krishterë e ka për detyrë ta kumtojë të vërtetën e Krishtlindjes, lindjen e Foshnjës së Betlehemit, që e ndryshoi përgjithmonë historinë e njeriut. Kjo është porosia që Kisha na jep në pragun e Ardhjes së Zotit e urojmë që në këtë Krishtlindje të realizohen shpresat e mbarë njerëzimit për paqe e drejtësi, për falje e dashuri. Në këto ditë i rikthehemi atmosferës festive plot tinguj muzike e këngësh kushtuar kremtimit të misterit të madh: Mishërimit të Zotit, Krishtlindjes.
E tërë jeta e njeriut është pritje e, për ne të krishterët, pritje përplot me shpresë ungjillore, por Koha e Ardhjes, për antonomazi është kohë e pritjes vigjilente, na shtyn t’i ri-jetojmë shpirtërisht emocionet e Marisë e të Jozefit, në ditët kur prisnin lindjen e mrekullueshme të Jezusit. Prandaj, posaçërisht në këto ditë, dishepulli e ithtari i Krishtit është i thirrur ta gatitë zemrën për ta pritur Zotin që vjen.
Pritja e besimtarit shpreh kështu shpresën e mbarë njerëzimit, i cili dëshiron, nganjëherë në mënyrë të pavetëdijshme, shëlbimin që vetëm Hyji mund të na e dhurojë.
Lutjet e Nëntëditshes së Krishtlindjes shprehin pritjen për dhuratën e lindjes së Shëlbuesit të premtuar. Është një ngjarje e madhe, që kërkon nga secili prej nesh t’i përgatisë një banesë të denjë jo vetëm në ambientin që na rrethon, por sidomos në shpirt.
E në këtë kohë çfarë kuptimi ka vigjilenca në Kohën e Ardhjes. “Vigjilencë do të thotë të jetosh nën sytë e gjykatësit e ta përgatisësh vetveten e botën për t’u paraqitur para Drejtësisë. Në këtë mënyrë duke jetuar para syve të Hyjit Gjyqtar, mund t’i hapim portat e botës për ardhjen e Birit të tij e portat e zemrave tona, për ta pritur Zotin që vjen.
Ndoshta sot ne, edhe si besimtarë, nuk e presim realisht Gjykatësin, por pa dyshim të gjithë presim drejtësinë, sepse shikojmë shumë padrejtësi në botë, në botën tonë të vogël, në botën e shtëpisë e të familjes, të lagjes e në botën e madhe të shteteve e të shoqërisë. Presim me padurim të mbrohet e drejta. Në këtë kuptim lutemi duke thënë: “Eja, o Jezu Krisht, si gjykatës në botën tënde!” E Zoti e di si të hyjë në botë e të vendosë drejtësinë”.
Pikërisht duke pasur para sysh mënyrën se si sot bota e shekullarizuar dhe kaotike e shikon lindjen e Jezusit, duke ta dëshmojmë më me bindje e gëzim misterin e shëlbimit që sjell me vete kremtimi i Krishtlindjes.
Në se nuk pranohet që Hyji u bë njeri, çfarë kuptimi ka Krishtlindja? Duhet që, sidomos ne, të krishterët, ta ripohojmë me bindje të thellë e të ndjerë të vërtetën e Lindjes së Krishtit, për t’u dëshmuar të gjithëve vetëdijen e një dhurate të pashembullt, që është pasuri jo vetëm për ne, por për të gjithë.
Nga ky mister buron detyra e ungjillëzimit, që është pikërisht komunikimi i këtij Lajmi të Mirë. Ti lutemi Zotit t’i japë paqen njerëzimit dhe ta nxisë të jetë më i ndjeshëm ndaj formave të vjetra e të reja të varfërisë e ndaj së mirës së përbashkët. Urojmë që Krishtlindja të jetë për të gjithë festë e paqes dhe e gëzimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.