2010-12-23 07:04:21

Domethënia e Bredhit të Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan


Flasim për historikun e domethënien e Bredhit të Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, shoqëruar me një reflektim.

Tradita e vendosjes së Bredhit apo e Pemës vigane të Krishtlindjes, në të djathtën e Shpellës së Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nisi me Papën Pali VI, vijoi me Gjon Palin II e vijon edhe ende sot me Benediktin XVI. Në Krishtlindjen 1982 Bredhi erdhi në Sheshin e Shën Pjetrit nga krahina italiane Koli Albani. Më 1983 pema madhështore ishte dhuratë e zonës federale të Insbrukut (Tirol-Austri). Bredhi madhështor i Jubileut të madh të Vitit 2000 ishte përsëri austriak: vinte nga Karincia, sivjet nga Tiroli jugor apo Alto Adige.
Duke nisur nga viti 1982, bredhi ka ardhur nga vise të ndryshme malore të Vendeve të ndryshme si Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Kroacia , Sllovenia, Republika Sllovake e vende tjera.
Edhe sivjet Bredhi, i lartë ka ardhur në Sheshin madhështor të Shën Pjetrit në Vatikan dhe i lartuar, si çdo vit, pranë Obeliskut, stolisur për festë me zbukurime vezulluese e drita për të na kujtuar festën e Ardhjes së Zotit ndër ne, u përurua më ditë më parë me një shfaqje muzikore.
E në sa e sodisim Bredhin apo Pemën madhështore të Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nuk mund të mos kujtojmë reflektimin e Gjon Palit II për simbolikën e tij. Shkruan Papa Vojtila:
“Ndërsa pak ditë më parë shikoja nga dritarja e studios sime Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ndjeva se po më lartohej shpirti. I kam dashur drurët që kur isha në vendin tim. Kur i shikon, ata në një farë mënyre nisin e flasin. Një poet i konsideron drurët si predikatarë të një mesazhi të thellë: “Ata nuk predikojnë doktrina e receta, por kumtojnë ligjin themelor të jetës.
Në lulëzimin e pranverës, në pjekurinë e verës, në frytet e vjeshtës e në të vdekurit e dimrit, druri rrëfen misterin e jetës. Prandaj njerëzit, që nga kohët e lashta, e kanë marrë simbolin e drurit për të reflektuar mbi çështjen themelore të jetës.
Ashtu si drurët, edhe njerëzit, kanë nevojë për rrënjë që zgjaten thellë. Vetëm kush rrënjoset në tokën pjellore, bëhet i qëndrueshëm. Mund të hedhë shtat drejt lartësive për të thithur dritën e diellit e mundet, njëkohësisht, t’u bëjë ballë stuhive që tërbohen për rreth. Por kush beson se mund të jetojë pa rrënjë, kalon një jetë të turbullt që i ngjet rrënjëve pa tokë.
Shkrimi Shenjt na tregon tokën pjellore, ku mund ta rrënjosim jetën tonë!
Bredhi më shtyn të mendoj edhe për diçka tjetër. Për shtëpitë e banesat tona, në të cilat, sipas një zakoni të mirë, vendoset Bredhi i Krishtlindjes, pranë e pranë Shpellës së Betlehemit. Para kësaj pamjeje, a mund të mos mendojmë për parajsën, për drurin e jetës, por edhe për pemën e njohjes të së mirës e të së keqes ?
Me lindjen e Birit të Hyjit filloi krijimi i ri. I pari, Adami, duke dashur të bëhet si Zoti, hëngri nga pema e dijes. Jezu Krishti, Adami i Ri, ndonëse me natyrë Hyjnore, nuk mendoi ta shfaqte ngjashmërinë e tij me Hyjin, por parapëlqeu ta mohonte vetveten, duke marrë natyrën e skllavit e duke u bërë i ngjashëm me njerëzit, nga lindja - deri në vdekje, nga grazhdi - deri në kryq. Nga druri i parajsës erdhi vdekja, nga druri i kryqit rilindi jeta. Kështu druri i përket Shpellës së Betlehemit, sepse na kujton Kryqin, pemën e jetës”.Bredhi, që i dhurohet çdo vit Papës, stoliset me xhingla të arta e të argjendta, e, sidomos, me drita, që krijojnë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan një atmosferë plot gjallëri, duke përhapur kudo mesazhin e Krishtlindjes: mesazhin e dritës, të paqes e të shpresës.







All the contents on this site are copyrighted ©.