2010-12-22 14:50:41

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”:
Dita e lamit: vijim i kremtimit.


(22.12.2010 RV)Në meditimin e kaluar e lamë të zotin e shtëpisë duke therur tokën, për të mbytur brejtësit e duke uruar: “Gacë e karricë!”. Si e kryente këtë rit, thyente bukën e një copëz djathë e ia jepte atij që e solli. Tjetrën e merrte e e çonte në shtëpi, ndërsa ûnët ia jepte bariut. Ky ulej në ‘burg të gjâsë’ e, duke përplasur ûnat rreth e rrotull, përsëriste pa pushim: “Gacë e delme”; “Gacë e dhi”; “Gacë e lopë”. E kështu, duke numëruar një për një emrat e gjësë së gjallë, që dëshironte t’ia falte Zoti, gjatë vitit, ende në lindje e sipër.
Si kryente urimet, bariu ngjitej lart e të gjithë së bashku, në agim, hanin bukën e lamit, bukën e jetës së re, që në kristianizëm dalëngadalë zevendësohej me Bukën e verën e elterit, me Korpin e Gjakun e Krishtit.
Pas përfundimit të bukës, të gjithë dilnin përsëri përjashta, me tallë, këmesë e gjilpërë, për të frikësuar pemët e buta. E duke i kërcënuar pemët, shkëmbenin dialogun: - A e pres? – Mos e pre, se bân! - A e theri? - Mos e ther, se lidhë. Tri herë përsëriteshin këto fjalë e më pas pema lidhej me tallë, që të bënte kokrra.
Pas përbetimit të pemëve, të gjithë lanin shtatin me ujë që ec. E e prisnin kthimin e plotë të ditës, me bindjen se kështu zgjidheshin shpirtrat e të vdekurve në atë jetë, për të kremtuar së bashku me të dashurit, në këtë jetë, pikërisht ditën e lindjes së një Fëmije, i cili e merrte për dore në udhën e Ringjalljes.
Banori i lashtë i trojeve të sotme shqiptare, që ecte në rrugën e krishterimit duke hapur horizonte drejt botës së lartë, thurte e çthurte ngjarje, që ishin e s’ishin të botës së tij, me një fill kujtimi gjithnjë tek Fryma, tek përtëritja e jetës, ëndërr e të gjitha breznive.
Çelte, kështu, portën, për të parë sesi në shpellat e vetmuara të maleve e në kasollet me kashtë të fshatrave të veta, vinte vetë Zoti!









All the contents on this site are copyrighted ©.