2010-12-22 14:50:02

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”:
Dita e lamit


(21.12.2010 RV)Si kremtohej Dita e Krishtlindjes, kur në trojet ilirio-shqiptare koha pas Krishtit ia zinte vendin asaj para Tij?
Dita e lindjes së Zotit, që zbardh pas natës së Buzmit, vijoi të kremtohej si Dita e lamit. Me përhapjen e kremtimit të Krishtlindjes, Nata e Buzmit u quajt Nata e Sh’Kënellës, ndërsa dita e solemnitetit “Buka e lamit”..
Kremtimi niste pa zbardhur ende drita. E zonja e shtëpisë, pak pas mesnate, do të gatuante bukën e lamit. Akti tjetër liturgjik primitiv kryhej nga i zoti i shtëpisë, në mes të arës.
I zoti i shtëpisë, si ndizte me duar e vet qiriun e festës, dilte jashtë, merrte një krah tallë apo kashtë misri, e shkepte në mes të arës dhe e shpërndante rreth vetes duke formuar një rrotullak, në mjedis të të cilit shënonte një kryq. Një njeri i shtëpisë sillte bukën e ngrohtë me djathë të njomë përsipër në njërën dorë, ndërsa në tjetrën, mbante majat e buzmave të ndezur, të cilët ia dorëzonte të zotit të shtëpisë, gjithnjë në mes të lamit. Ky i merrte ûnat e ndezura e, duke i përplasur mbi bukën e djathin, që të nxirrnin shkëndija, shqiptonte këto fjalë: “Falnae, o Zot, bukën tonë të përditshme!”. Pastaj, duke vijuar përplasjen e urëve, sillej rreth lamit ku, bashkë me shkëndijat, përhapte edhe urimet: gacë e karricë!
Si kryente një rrotullim të plotë rreth lamit, therte tokën, për të mbytur urin (urithin), simbol i të gjithë brejtësve të nëntokës, që të mos i dëmtonte bimët. Në lashtësi riti përfshinte mallkime të thekshme kundër të gjithë atyre që rrezikonin banorin e maleve të vetmuara, ku prodhimi i tokës ishte jetë. I zoti i tokës thërriste gjëmë e vetëtimë, ta gjuante me kokërr të vet e ta shfaroste çdo gjë të gjallë, që ia shkelte dheun. Mallkonte kështu, sepse bimën e nxirte nga gjiri i gurit e nga shtrati i gjarpërit me duart e veta që ashpëroheshin aq, sa të dukeshin si kthetra. Mallkimi përfundonte me një pasthirmë të thekshme: “ Heuuu, Heuuu!”, që depërtonte, jehonë në jehonë, prej shkëmbit në shkëmb e shuhej në gjirin e humnerave. Kështu njeriu përnjësohej me rrethinën e nuk dallohej më në fytyrën e dheut të vet, derisa nisi të mësohej për t’i shkëputur sytë nga dheu e për t’i lartuar nga qielli, ku u takua me Krishtin.
E tradita përcillej nga breznia në brezni. Dija e gjuha – mendonte shqiptari, që kalonte nga kohët mitologjike në ato kristiane - s’merren me vete në varr: u tregohen të gjithëve, që të ecin së bashku me njeriun ndër mote, deri në ditët më të largëta, duke gatuar vit për vit ‘Bukën e lamit” e duke shqiptuar ditë për ditë, para se ta thyesh në sofër, “Falnae, o Zot, bukën tonë të përditshme!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.