2010-12-22 17:08:01

Papa në audiencën e përgjithshme: të përgatitemi me gëzim për Krishtlindje, duke e pritur Jezusin në zemra më të pastra, jo vetëm në shtëpi më të bukura.


(22.12.2010 RV)Atmosfera e pritjes gazmore, që mbush plot ditët para Krishtlindjes, është sigurisht themelore për zemrën e të krishterit, i cili dëshiron ta jetojë me fryt takimin e ri me Atë, që vjen të banojë ndërmjet nesh: me Krishtin Jezus, Birin e Hyjit, i cili mishërohet, bëhet njeri, si ne.
Këtë theksoi sot paradite Papa në Sallën e Palit VI në Vatikan, gjatë audiencës së përgjithshme, kushtuar krejtësisht kremtimit të Krishtlindjes. Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët ta presin Krishtin Fëmijë me ndërgjegje të përtërirë, duke u përpjekur të bëjnë vetëm të mirën, për të prekur, kështu, me dorë, vetë mirësinë e Zotit.

Ati i Shenjtë e nisi meditimin me një krahasim të goditur, duke kujtuar “Dritën e vogël”, që ndriçon “natën e botës” e dritat vezulluese, që vërshojnë rrugëve në këtë periudhë, kur besimtari i krishterë është i thirrur ta rrëmojë deri në fund ndërgjegjën e vet që, kur të vijë Foshnja Betlehemit, të mos e gjejë të papërgatitur. Të ndriçohemi e të mahnitemi - na fton Papa - edhe një herë nga Hyji, që bëhet Ferishte, nga Ylli, që e përmbyti me valë të vrullshme gëzimi mbarë Universin. Duke ardhur mes nesh, Krishti Jezus nuk duhet të na gjejë të papërgatitur, të shqetësuar për të zbukuruar vetëm realietin e jashtëm. Zoti vjen në shpirt! Duhet, prandaj ta zbukurojmë më parë shpirtin, pastaj shtëpitë, rrugët e të gjitha mjediset, ku do ta kremtojmë ardhjen e Tij:
“Kujdesi që kemi për t’i ndriçuar sa më bukur rrugët tona e shtëpitë tona, duhet të na nxisë të kujdesemi më shumë për ta përgatitur shpirtin tonë për festën e madhe të takimit me Atë, që do të na vijë për vizitë, me Krishtin, bukurinë e dritën e vërtetë. Ta pastrojmë, prandaj, ndërgjegjen e vetë jetën tonë nga gjithçka është në kundërshtim me këtë takim, me këtë ardhje: nga fjalët, sjelljet, veprat e mendimet, duke u përpjekur për të bërë të mirën e duke kontribuar për të realizuar në botën tonë paqen e drejtësinë për çdo njeri. Të ecim, pra, me këto hapa, drejt takimit me Zotin!”.
Ftesë prekëse e Papës kjo. E Ati i Shenjtë vijoi të kujtojë se përgatitja e vërtetë për Krishtlindje lidhet pazgjidhshmërisht me ndjenjat e gëzimit e të mahnitjes, që vijon të na ngjallë në shpirt ngjarja e dymijë vjetëve më parë. Benedikti XVI rikujtoi, më pas, protagonistët e asokohshëm: nga Zakaria, te Elizabeta, duke vënë, natyrisht, në qendër të vëmendjes, Marinë e Jozefin, që presin dridhshëm përmbushjen e premtimit të madh e njëkohësisht të misterit të kësaj lindjeje. Pritje e një misteri, i cili lidhet ngushtë me jetën e besimtarëve të të gjitha kohëve, edhe të mijëvjeçarit të tretë të krishterë:
“Kështu, në rrjedhë shekujsh, në radhë, pranë personazheve të Shkrimit Shenjt, presim edhe ne. E gjithë ekzistenca njerëzore gjallërohet nga kjo ndjenjë e thellë, nga dëshira për ta parë me sytë tanë sesi ëndrra më e vërtetë, më e bukur e më e madhe, që patëm ndonjëherë në mendje e në zemër, bëhet realitet e na e larton shpirtin”.
Duke cituar disa herë Shën Ireneun, i cili na la trashëgim fjalë vërtet të frymëzuara për Mishërimin e Krishtit, Benedikti XVI kujtoi, ndërmjet tjerash, se një nga idetë më kryesore të atit të lashtë të Kishës, ishte që krishterimi të mësohej ta përceptonte Hyjin, i cili përmes Birit të vet Foshnje, na kujton se u krijuam sipas shembëlltyrës së Tij:
“Na kujton se ne duhet të jemi të ngjashëm me Hyjin. E se duhet ta imitojmë. Me ardhjen tij ndër ne, Zoti na tregon e na ngarkon një detyrë: pikërisht detyrën të bëhemi të ngjashëm me Të e të priremi nga jeta e vërtetë, të arrijmë tek vegimi i Zotit në fytyrën e Krishtit. Fjala, që u bë foshnjë, na ndihmon ta kuptojmë mënyrën e veprimit të Hyjit, për të qenë kështu të aftë ta lëshojmë gjithnjë më shumë veten në dorë të Zotit, që të na shndërrojë me mirësinë e me mëshirën e tij të pasosur”.
Pasi ngriti, me reflektimin e tij, një Shpellë shpirtërore Betlehemi, Papa u ndalua posaçërisht tek bukuria e Shpellave, simbol tipik i kësaj Kohe, që zbukurojnë festimet e Krishtilindjes.
Edhe në Sheshin e Shën Pjetrit, sipas traditës, Shpella është pothuajse gati, e vendosur simbolikisht përballë Romës e mbarë botës, për t’u kujtuar bukurinë e misterit të Zotit që u bë njeri e erdhi të banojë ndër ne (cfr Gjn 1, 14). Shpella e Betlehemit është shprehje e pritjes sonë, por edhe përpjekje për t’i shprehur mirënjohjen Atij, që vendosi të bëhet njeri, të jetojë mes nesh, pa kurrfarë buje, në varfëri e thjeshtësi të plotë:
“Gëzohem, kur shikoj se mbetet gjithnjë e gjallë, madje vijon të përtërihet, tradita e përgatitjes së Shpellës së Betlehemit në shtëpi, në mjediset e punës, në vendet e çlodhjes. Uroj, prandaj, që kjo dëshmi e thjeshtë e fesë së krishterë, të jetë edhe sot për të gjithë njerëzit vullnetmirë, ikonë thellësisht prekëse e dashurisë së pakufishme të Atit për ne të gjithë. E, sidomos, që zemrat e fëmijëve e të të rriturve, të mahniten përsëri përballë saj”.
Para se audienca e përgjithshme të përfundonte me tingujt gazmorë të gajdexhinjve, ardhur në Vatikan nga krahina e Molises e pikërisht nga fshati Bojano, të cilët luajtën në Sallën e Palit VI disa melodi prekëse popullore Krishtlindjesh, Benedikti XVI e kishte përfunduar takimin e kësaj së mërkureje posaçërisht festive, sepse fare pranë festës së madhe, me urimin që... :
Në mes të veprimtarive të ethshme të ditëve tona, kjo kohë të na dhurojë sadopak paqe e gëzim e të na bëjë ta prekim me dorë mirësinë e Zotit tonë, që bëhet Fëmijë për të na shpëtuar e për të na dhënë guxim të ri e dritë të re në rrugën tonë.
Ju uroj Krishtlindje të shenjta e të lumtura: ju, që jeni të pranishëm në këtë sallë, familjarëve tuaj, të sëmurëve sidomos, e atyre që vuajnë, ashtu si dhe bashkësive tuaja e të gjithë njerëzve, të cilët i keni për zemër”.







All the contents on this site are copyrighted ©.