2010-12-22 14:48:33

Kremtimet liturgjike në Vatikan për festat


(22.10.2010 RV)Prania e afreskut të Pinturikios “Zoja në dritare” e vitit 1490, që ruhet në Pinakotekën e Vatikanit që nga viti 1909, karakterizon kremtimet liturgjike të Kohës së Ardhjes në Bazilikën e Shën Pjetrit. Vetëm në kremtimet e 31 dhjetorit dhe të 1 janarit do zëvendësohet me Zojën e Malit të Shenjtë të Vixhianos, e cila do të sillet nga rektori i shenjtërores.
Kjo është korniza e kremtimeve të Papës gjatë periudhës së Krishtlindjes. Të premten, më 24 dhjetor, Benedikti XVI do të kremtojë Meshën e Natës së Krishtlindjes. Ajo do të paraprihet nga lutja dhe leximi i profecive mbi ardhjen e Mesisë, të cilat do të përfundojnë me këngën e Kalendës, që përshkon me fjalë tejet të bukura e shprehëse, pritjen dhe ardhjen e Krishtit.
Më 25 dhjetor, në orën 12, Papa do t’i drejtojë “Romës dhe botës” mesazhin e tij për Krishtlindje dhe do të japë Bekimin “Urbi et Orbi”. Të premten, më 31 dhjetor, Benedikti XVI do të kryesojë Mbrëmësoret e para në solemnitetin e Zojës Nëna e Zotit, të cilat do të pasohen me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament e me himnin tradicional “Te Deum”, për ta falenderuar Hyjin për të mirat e këtij viti.
Prej kohësh, solemniteti i Zojës Nëna e Zotit, më 1 janar, festohet sëbashku me Ditën Botërore të Paqes. Mesazhi i Papës për këtë ditë ka si temë “Liria fetare, rrugë për paqen”. Ati i Shenjtë do të kremtojë meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit në orën 10. Këtë vit do të jetë i pranishëm edhe kori “Pueri Cantores”, fëmijë e të rinj nga e gjithë bota, që ndodhen në Romë për Kongresin e tyre të 36-të ndërkombëtar, me temë “Deus Caritas Est”.
Të enjten, më 6 janar, në festën e Dëftimit të Zotit, Papa do të kryesojë meshën në Bazilikën vatikanase, në orën 10. Gjatë kremtimit eukaristik, pas shpalljes së Ungjillit, diakoni do të japë “Lajmin e Pashkëve” me këngë. Epifania është festë shëlbimi, sepse Dëftimit të Zotit plotësohet gjatë ngjarjeve të Pashkëve. Koha e festave të Krishtlindjes përfundon me të kremten e Pagëzimit të Zotit, të dielën, më 9 janar, kur Papa do t’u japë Sakramentin e Pagëzimit 22 fëmijëve, gjatë meshës në Kapelën Sikstine, në orën 10. Prindërit e fëmijëve janë punonjës të Selisë së Shenjtë. Gjatë kremtimit, një rol të veçantë do të kenë vëllezërit, apo motrat e të pagëzuarve, të cilët do të çojnë në elter dhuratat gjatë shërbesës eukaristike.







All the contents on this site are copyrighted ©.