2010-12-22 17:08:35

Greçio rikrijon Shpellën e gjallë të Betlehemit të Shën Françeskut.


(22.12.2010 RV)Shpella e Betlehemit është një mënyrë, që e ndihmon njeriun ta kuptojë madhështinë e dhuratës së Hyjit. Kështu e përshkruan, përmbledhtas, atë Gjulio Meniketi, famullitar i Greçios, vend i zgjedhur nga Shën Françesku për të ngritur Shpellën e parë në botë. Varfanjaku i Asizit, me ndihmën e zotërisë, mikut të tij fisnik, Gjovani Velita, natën e Krishtlindjes 1223 ia paraqiti besimtarëve të fshatit ngjarjen e Betlehemit, me personazhe të gjalla. Që asokohe, në Greçio vijon të kujtohet kjo shfaqje e jashtëzakonshme, nëna e të gjitha Shpellave të Betlehemit, që ndriçohen natën e Krishtlindjes në mbarë botën.

Greçio, gjysëm i fshehur ndërmjet pyjeve, ngrihet si fole shqiponje në shkëmbijtë e Malit Laçerone, ku spikat edhe kuvendi i lashtë françeskan, shkëmb në zemër të shkëmbit. Kështu ishte edhe kur e pa Shën Françesku, që shkeli për herë të parë këtu në vitin e largët 1209. Fshati i vogël i Rietit, 705 metra mbi nivelin e detit, e mahniti varfanjakun e Asizit i cili, pas shtegtimit në Palestinë, e solli realitetin e Birit të Zotit bërë njeri nga Betlehemi, në Greçio, duke e paraqitur për herë të parë si të ndodhte atë çast, ardhjen e Zotit në botë. Lindi, kështu, Shpella e parë e Betlehemit në historinë e njerëzimit. Bota kremtonte Krishtlindjen e vitit 1223. Por, të dëgjojmë përshkrimin e atë Gjulio Kalkanjës, famullitar i sotëm i Greçios:
“Shën Françesku kishte shkuar të vizitonte vendet ku u lind e ku jetoi Jezusi e kishte mbetur i prekur thellë nga varfëria e Betlehemit. Duke u afruar Krishtlindja, i kërkoi një miku të Greçios, Gjovani Velitës, të përgatiste pak a shumë gjithçka duhej për ta paraqitur ardhjen e Jezusit, si të lindte atë ças në Betlehem. E kjo, sepse Shën Françesku donte ta shikonte me sytë e ballit të vet – siç na rrëfen jetëshkruesi i tij, Tomazo da Çelano - e donte të kremtonte dhe Meshën, që njerëzit e kohës së tij, ashtu si të kohëve tona, të kuptonin se Shëlbuesi ynë nuk lindi vetëm një herë, njëzet shekuj më parë, në Betlehem, por vijon të lindë e të mishërohet mbi elterët tanë, sa herë që kremtohet Mesha Shenjte”.
Sot, për të rikujtuar atë që ndodhi natën e Krishtlindjes të vitit 1223, organizohet përsëri Shpella e gjallë e Betlehemit, shfaqje historiko-teatrale, që i kujton botës Shpellën e parë të Betlehemit. Përsëri, atë Gjulio:
“Nuk është Shpellë tradicionale Betlehemi, me Jozefin, Zojën e Bekuar, Fëmijën e barinjtë, siç realizohet në viset e tjera të Italisë. Është rikujtim historik i asaj që bëri Shën Françesku për të realizuar Shpellën e gjallë të Betlehemit në Greçio: personazhet janë Gjovani Velita, miku i Shën Françeskut, janë françeskanët e njerëzit, që nisen drejt Shpellës nga fshatrat e Rietit e ngjiten, me pishtarë të ndezur në duar, drejt malit... e pastaj, është Mesha”.
Sot Greçio numëron 1.500 banorë, 60 prej të cilëve punojnë për rikthimin në jetë të ngjarjes së lashtë historike: shfaqja e parë jepet më 24 dhjetor, e fundmja, më 8 janar.
Shfaqja e Greços, me të cilën merren gjithë këto njerëz, nuk realizohet për të tërhequr vëmendjen e turistëve. Mbetet, në shekuj, dëshmi e dashurisë së Shën Françsekut për Krishtin që, me lindjen e tij, i dha kuptim historisë. Atë Gjulio kujton se :
“Shpella e Betlehemit të ndihmon të mendosh se Zoti lindi mes nesh, lindi si njeri. E Shpella të shtyn ta kujtosh këtë ngjarje të madhe. Uroj, prandaj, që ne të gjithë, pikërisht me rastin e Krishtlindjes së Shenjtë, e duke menduar për të gjitha Shpellat, që stolisin shtëpitë tona, të mos harrojmë kurrë se Zoti erdhi për ne, për dashurinë tonë, për shpëtimin tonë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.