2010-12-22 14:48:46

Bëhet i njohur programi i vizitës së Benediktit XVI në Kroaci, në qershor 2011


(22.12.2010 RV)Konferenca Ipeshkvnore kroate dhe Komiteti shtetëror për përgatitjen e udhëtimit apostolik të Papës Benedikti XVI në Kroaci, bënë të njohur programin e vizitës, që do të bëhet më 4 e 5 qershor 2011. “Sëbashku në Krishtin” është parrulla e kësaj vizite, e cila parashikon fillimisht, takimin me presidentin e Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviç dhe me kryeministren Jadranka Kosor. Benedikti XVI do të takohet gjithashtu, me përfaqësues të kulturës, të ekonomisë, të shoqërisë civile e të politikës, si edhe me Trupin diplomatik dhe me eprorët e bashkësive fetare kroate. Në përfundim të ditës së parë, Papa do të kryesojë lutjen me të rinjtë në sheshin kryesor të Zagrebit. Ngjarja qendrore e vizitës baritore është pa dyshim, kremtimi i Eukaristisë me rastin e Takimit kombëtar të familjeve katolike kroate, më 5 qershor, gjithnjë në kryeqytet. Pas Meshës, Papa do të thotë lutjen e Mbretëreshës Qiellore, gjatë së cilës është parashikuar një mesazh për besimtarët e të gjithë botës. Pasdite, Benedikti XVI do të kryesojë lutjen e mbrëmjes me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, teologët dhe seminaristët. Para se të largohet nga vendi, Ati i Shenjtë do të lutet te varri i kardinalit të Lum, Alojzije Stepìnac.







All the contents on this site are copyrighted ©.