Me 21 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Pjetër Kanizin, meshtar jezuit e dijetar
i Kishës
(21.12.2010 RV)Shën Pjetër Kanizi njihej me epitetin, që nuk i shkonte për shtat ‘çekani
i heretikëve’; do të ishte më e gjetur të quhej hekur i vendosur ndërmjet kudhrës
e çekanit, do me thënë njeri i vënë në shënjestër, sepse predikimet e tij të qarta
ngjallnin zemërim në mjediset protestante e zili ndërmjet vetë shokëve të tij të fesë.
Pjetri lindi në Nemeg të Holandës më 1521. Bir i një familjeje të pasur, pati
mundësinë të ndiqte shkollat më të mira të kohës. Studioi për drejtësi kanonike në
Luven e për drejtësi civile në Këln. Kur ishte në këtë qytet, i pëlqente të jetonte
në kuvendin e çertozinëve. Askujt nuk i pati shkuar ndër mend se avokati i ri,
të cilit i jati i kishte siguruar një të ardhme të ndritur profesionale, nën veshje
fshihte grathoren. Leximi i një libri të vogël për ushtrime shpirtërore, shkruar nga
Shën Injaci, qe vendimtar për zgjedhjen e rrugës së jetës të Shenjtit të ardhshëm.. Si
kreu përgatitjen shpirtërore nën drejtimin e Atë Faber, hyri në Shoqërinë e Jezuitëve
e qe jezuiti i shtatë që bënte kushtet e përjetshme. Në Urdhërin ku kishte hyrë, iu
krijuan të gjitha mundësitë t’i kushtohej studimeve që i pëlqenin e të shuante etjen
për dituri. Botoi kështu njëra pas tjetrës veprat e Shën Çirilit të Aleksandrisë,
të Shën Leonit të madh, të Shën Jeronimit e të Ozios të Kordovës. Duke jetuar në
atmosferën e reformës e të kundër- reformës, mori pjesë aktive në Koncilin e Trentit,
si teolog i kardinalit Trukses e këshilltar i papës. U dallua për thellësinë e kulturës
së tij teologjike, për zellin në punë, por edhe për shpirtin pajtues. Shën Injaci
e thirri në Itali dhe e dërgoi menjëherë në Sicili për themelimin e kolegjeve të famshme,
e pastaj në Bolonjë, për të dhënë mësimin e teologjisë. Nga Bolonja shkoi në Gjermani
ku për 30 vjet me radhë qe epror provincial. Shkriu në këtë detyrë energjitë e tij
më të mira, në një epokë tepër të vështirë për shkak të përçarjes që ishte shkaktuar
nga reforma protestante. Meritoi epitetin Apostulli i dytë i Gjermanisë, pas Shën
Bonifacit.Piu V deshi ta krijonte kardinal, po ai iu lut Papës ta linte në shërbimin
e përvujtë të bashkësisë. Në zemrën e Krishtit është burimi i misionit apostolik Para
se të nisej për Gjermani, shën Pjetër Kanizi, i cili me të drejtë quhet apostulli
i saj i dytë, pasi mori bekimin apostolik, pati përvoja të ndodhive shpirtërore jashtëzakonisht
të larta, të cilat ai vetë i përshkruan me fjalët që vijojnë: “I pëlqeu mirësisë sate
të pakufi, o Kryeprift i amshuar, që unë t’ua besoja efektshmërinë dhe përforcimin
e atij bekimi apostolik, apostujve të tu, Pjetrit e Palit të cilët nderohen në Vatikan
dhe që, sipas dëshirës sate, bëjnë gjëra të mrekullueshme: atje unë ndjeva se një
ngushëllim i madh dhe prania e hirit tënd m’u dhuruan nëpërmjet atyre ndërmjetësuesve.
Edhe ata më bekuan, e përforcuan misionin tim në Gjermani, dhe dukej se më përcillnin,
si apostull të Gjermanisë, mbështetjen e dashamirësisë së tyre. Ti e di mirë, o Zot,
në sa mënyra dhe sa herë – në atë ditë – ma besove Gjermaninë, për të cilën më pas
unë do të vazhdoja të isha i zellshëm dhe për të cilën do të dëshiroja të jetoja e
të vdisja. Së fundi, si po të më ishte hapur zemra e trupit tënd të shenjtë, që
më dukej se e shihja para meje, ti më urdhërove të pija në atë burim, duke më ftuar
të nxirrja ujin e shpërblimit tim prej burimeve të tua, o Shëlbuesi im. E unë kisha
një dëshirë të zjarrtë që lumenj feje, shprese dhe dashurie të derdheshin mbi mua.
Kisha etje për varfëri, për pastërti, për dëgjesë dhe kërkova që prej teje të lahesha
i tëri, të vishesha dhe të stolisesha. Pra, pasi që guxova të arrija tek zemra
jote shumë e ëmbël dhe të shuaja në të etjen time, ti më premtove një veshje të thurur
prej tri pjesësh, që të mund ta mbronin zhveshësinë e shpirtit tim dhe të mund të
ishin krejtësisht të përshtatshme për këtë mision: ato ishin paqja, dashuria dhe qëndrueshmëria.
I veshur me këtë petk shëlbimi, unë pata besim se asgjë nuk do të më mungonte dhe
se çdo gjë do të realizohej për lavdinë tënde”.