2010-12-21 16:51:45

Liria fetare, një e mirë që u përket të gjithë njerëzve: teologu Paçini, për Mesazhin e Papës kushtuar Ditës Botërore të Paqes.


Fanatizmi e laicizmi janë forma ‘spekulative’, që e dëmtojnë të drejtën e lirisë fetare: këtë nënvizon me forcë Papa në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2011, botuar të enjten e kaluar. Në dokument, Benedikti XVI bën thirrje për t’u ruajtur nga prirja, që çon në ndrydhjen e përmasës fetare, posaçërisht kur kjo ndrydhje shkon deri atje, sa të sulmohen simbolet e fesë, në përpjekjen për t’i zhdukur fare nga jeta publike. Pikërisht këtë qortim të Papës komenton, në mikrofonin e Radios sonë, don Andrea Paçini, këshilltar i Komisionit për marrëdhëniet fetare me myslimanët pranë Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar:

Përgjigje: - Besoj se është e rëndësishme të nënvizojmë vazhdimisht nevojën e shprehjes së përkatësisë fetare në mënyrë komunitare, duke e bërë të ndjehet kjo përkatësi në botën që na rrethon e duke pasur mirë parasysh se në të gjitha vendet, feja është trolli ku mbinë kulturat, pavarësisht nga fakti se ndoshta më pas, u laicizuan. Kohët ndryshojnë, po rrënjët mbeten e thellohen, duke i krijuar lëndës së re mundësinë të rritet e shëndetshme. Ia preve rrënjët, mos prit fryte të reja, në stinë të reja! E kjo është një e vërtetë, që nuk mund ta mohojë askush. Ashtu si nuk mund të mohohet se përpjekja për zhdukjen e simboleve fetare nga sfera publike, me pretekstin e korrektësisë politike, sipas së cilës në një shoqëri të larme, me shumë fe e kultura, s’ ka më vend për simbole të tilla, nuk niset fare nga kundërvënie të tipit fetar, por nga pozita të tipit laicist.

Pyetje: - Kjo është e vërtetë, sepse shpesh bëhen përpjekje për t’i hequr simbolet fetare nga shkollat, pasi na fyekan të rinjtë e feve të tjera, duke u nisur thjesht nga një laicizëm i fshehur pas maskës së qëndrimit asnjanës...

Përgjigje: - Besoj se po, sepse rrallë e kurrë këto kërkesa vijnë nga përfaqësuesit e feve të ndryshme. Në shumicën e rasteve burojnë nga direktiva të rendit publik ose nga nisma, edhe personale, të shkollave, e kështu me radhë, prej nga vijnë edhe thirrjet për tolerancë, thurur me fjalë krejt të përgjithshme, që në të vërtetë e shprehin pak e aspak frymën e tolerancës së mirëfilltë. E, përsa u përket myslimanëve, shtoj se çka i shkandullon, nuk janë aspak shprehjet publike të fesë së krishterë, por, përkundrazi, çka i shkandullon, janë fenomenet e shekullarizimit, të materializmit, të hedonizmit, të cilat gjithnjë më shpesh, edhe përmes mjeteve të komunikimit, mbeten i vetmi mesazh, i vetmi ‘afresk’ i Evropës, që arrin në vendet e tyre, krejtësisht të ndryshme.

Pyetje: - Dihet se thirrjet për liri fetare bazohen mbi dinjitetin e njeriut. E kjo do të thotë se duhet respektuar dinjiteti i tjetrit, sepse kjo është e drejtë, e jo sepse na bën ndonjë favor, se na respekton, nuk na kundërvihet, nuk na shqetëson...

Përgjigje: - Absolutisht po. Në se ne besojmë se liria fetare lidhet ngushtësisht me dinjitetin e njeriut, natyrisht nuk mund t’ia nënshtrojmë asnjë lloj kushti, edhe në se vetë besimtarët e feve të tjera vijnë nga vende, ku nuk respektohet liria fetare e të krishterëve. Nuk është e krishterë të thuash: ta respektojnë edhe ata lirinë fetare të sivëllezërve tanë, në se duan ta respektojmë edhe ne të tyren. Të na respektojnë, e do t’i respektojmë! Feja nuk të lejon ta bësh këtë: feja të mëson ta duash e ta respektosh çdo njeri, pa asnjë kusht!







All the contents on this site are copyrighted ©.