2010-12-21 16:53:02

BE: Presidenca hungareze: Përparësi do të ketë axhenda evropiane me frymë humane.


“Asnjë përparësi kombëtare por vetëm realizimi i axhendës evropiane me një “theks human”. Këtë deklaroi si objektiv të presidencës hungareze të Bashkimit Evropian, që fillon më 1 janarin e ardhshëm, ministri i jashtëm i Hungarisë Janosh Martoni. Hungaria është vendi i parë nga ish-kampi socialist që ka hyrë në Bashkimin Evropian në maj të 2004.
“Përparësitë janë caktuar nga axhenda evropiane. Në veçanti qetësimi i tregjeve dhe kapërcimi i krizës.” pohoi ministri Martoni gjatë paraqitjes së presidencës hungareze që fillon me vitin e ri, duke nënvizuar se kjo nuk është përparësi absolute vetëm e Hungarisë por edhe e krejt Bashkimit Evropian. “Synimi i Budapestit është ta bëjë Evropën më të fortë duke i dhënë asaj një ton më human” – shpjegoi ministri Martoni.
Përveç kapërcimit të krizës ekonomike, presidenca do të punojë për vënien në zbatim të Traktatit të Lisbonës, që ka hyrë në fuqi pak më shumë se një vit më parë. “Do të punojmë si bursistë të ndershëm, si barinj të grigjës. Themelore do të jenë marrëdhëniet me Parlamentin Evropian, forca e të cilit është rritur shumë falë marrjes së përbashkët të vendimeve.” - vijoi më tej ministri i jashtëm hungarez Martoni.
Gjithashtu energjia do të jetë një fushë tjetër veprimi e presidencës hungareze, e cila do të përpiqet të japë kontribut domethënës në këtë drejtim. Pikërisht energjia do të jetë edhe tema e takimit të nivelit të lartë të BE, më 4 shkurt, ku do të diskutohet për funksionimin e tregut evropian të energjisë, për infrastrukturat energjitike, promovimin e teknologjive të reja dhe bashkërendimin e politikave energjitike të vendeve të BE në lidhje me vendet e treta. Tema të tjera që do të shqyrtohen gjatë semestrit hungarez do të jenë: partneriteti lindor, hyrja e Kroacisë në BE dhe çështja e romëve.
Në fund, një temë që hungarezët e kanë për zemër është edhe vlerësimi dhe respektimi i diversitetit kulturor dhe gjuhësor, gjë që shihet si mjet për të nxitur shpirtin e mirë të garës. Nga ana tjetër, sondazhet e fundit, sipas ministrit Martoni, kanë treguar se qytetarët e BE, e sidomos ata hungarezë, tregojnë se njerëzit janë gjithmonë e më euroskeptikë dhe entuziazmi fillestar ka rënë. “Duhet të bëjmë diçka sepse vetëm me ekonominë në krye të listës së punëve, nuk mund t’i bëjmë qytetarët ta duan Evropën.” përfundoi ministri i jashtëm hungarez Janosh Martoni.







All the contents on this site are copyrighted ©.