Papa në takimin me Kurien Romake: Kisha, e shpërfytyruar nga fajet e meshtarëve. Thirrje
për ndalimin e kristianofobisë.
(20.12.2010 RV)“Excita, Domine, potentiam tuam, et veni” – “Tregoje (zgjoje)
o Zot, fuqinë tënde dhe eja”: këto fjalë, marrë nga Liturgjia e Kohës së Ardhjes,
kur e gjithë Kisha pret Foshnjen Hyjnore, ishin lajtmotivi i fjalës së Papës për Kurien
Romake, me të cilën shkëmbeu sot paradite, urimet për Krishtlindjen. Fjalim i paharrueshëm,
në të cilin, duke u nisur nga një analizë e hollësishme e realitetit të shkuar e të
sotëm, Benedikti XVI vuri gishtin mbi plagët e hapura të Kishës dhe tregoi rrugën
për t’i shëruar. Abuzimet seksuale nga ana e disa anëtarëve të klerit, gjendja në
Lindjen e Mesme, raporti ndërmjet fesë e arsyes, roli i ndërgjegjes: janë vetëm disa
nga argumentet, që trajtoi Ati i Shenjtë në takimin tradicional me kardinajtë. Papa
bëri thirrje të ndalet kristianofobia në botë dhe përshëndeti nismën e paraqitur nga
dekani i Kolegjit Kardinalor, Anxhelo Sodano në favor të popullsive të Haitit dhe
të Irakut.
Ashtu si në
kohën e rënies së Perandorisë Romake, edhe sot, vuri në dukje Benedikti XVI, bota
ndihet në ankth, e pasigurtë. Konsensusi moral po shpërbëhet, por pa këtë konsensus
strukturat juridike e politike nuk funksionojnë më. Duket sikur forcat, që mobilizohen
për mbrojtjen e këtyre strukturave, nuk kanë sukses e atëherë e vetmja shpresë mbetet
Zoti. Papa i ftoi besimtarët të thonë lutjen e së dielës së parë të Kohës së Ardhjes:
“Tregoje, o Zot, fuqinë tënde dhe eja”. Është lutja, që i drejtojnë dishepujt Krishtit,
kur ishte duke fjetur në varkën, që lëkundej mnershëm nga stuhia. Por Jezusi u flet
ashpër dishepujve, sepse ajo që fle, në të vërtetë, është feja e tyre: “Të
njëjtën gjë na thotë edhe neve. Edhe brenda nesh, shpesh, feja fle. Ta lusim pra Hyjin,
të na zgjojë nga gjumi i një feje të lodhur e t’i japë fesë fuqinë për të luajtur
nga vendi malet – pra, t’i japë rendin e duhur gjërave të botës”. Ati i Shenjtë
e çoi mendimin në gjendjen aktuale të klerit, duke u nisur nga Viti Meshtarak, gjatë
të cilit – tha Papa – e kuptuam edhe një herë sa bukur është, që njerëz të caktuar
autorizohen të japin faljen, në emër të Zotit e me pushtet të plotë, duke ndryshuar
kështu botën e jetën: “Edhe më shumë jemi shkandulluar kur, pikërisht gjatë
këtij viti e në përmasa të paimagjinueshme për ne, morëm vesh për abuzimet kundër
të miturve, kryer nga meshtarë, që e kthejnë Sakramentin në të kundërtën e tij: nën
mantelin e shenjtë plagosin thellë fëmijërinë e njeriut dhe e dëmtojnë për tërë jetën”. Papa
kujtoi vizionin e Shën Hildegardës nga Bingeni, e cila më 1170 përshkruante një skenë,
që duket sikur e përjetojmë edhe sot. Në vegimin e saj, Kisha përfaqësohej nga një
nuse e veshur bukur, por me fytyrën plot pluhur, me mantelin e shqyer e me këpucët
plot baltë. Nusja i flet shën Hildegardës dhe i pohon se plagët e Krishtit mbeten
të hapura, për sa kohë mbeten të hapura plagët e mëkateve të njeriut: “Pikërisht,
plagët e Krishtit janë të hapura për fajin e meshtarëve. Ata e grisin veshjen time,
sepse nuk ndjekin as Ligjin, as Ungjillin e as detyrën e tyre meshtarake. I heqin
shkëlqimin mantelit tim, sepse nuk i zbatojnë aspak rregullat, që u janë imponuar
atyre. M'i ndotin këpucët, sepse nuk ecin në rrugë të drejta, në rrugët e vështira
e të ashpra të drejtësisë dhe, nuk japin shembullin e mirë për besimtarët. Megjithatë,
në disa shoh shkëlqimin e së vërtetës”. E Papa, bën krahasimin e këtij vegimi
të shën Hildegardës me kohën e sotme: “Në vizionin e shën Hildegardës, fytyra
e Kishës është plot pluhur, e kështu e kemi parë edhe ne sot. Veshja e saj është e
shqyer – për fajin e meshtarëve. Ashtu si ajo pa e shprehu, ashtu kemi përjetuar këtë
vit. Ta pranojmë këtë përvujtnim si këshillë për të shkuar drejt së vërtetës dhe si
thirrje për përtëritje. Vetëm e vërteta na shpëton”. Ta pyesim veten, vazhdoi
Benedikti XVI, se ç’mund të bëjmë për të ardhmen, ku gabuam në shpalljen e Lajmit
të Mirë, në mënyrën tonë për të qenë të krishterë, çfarë e bëri të mundur një tmerr
të tillë? “Të gjejmë vendosmëri të re tek feja dhe tek e mira. Të jemi të aftë
të bëjmë pendesë. Të përpiqemi të bëjmë ç’është e mundur në përgatitjen për meshtari,
që një gjë e tillë të mos ndodhë më. E ky është edhe rasti për të falenderuar nga
zemra të gjithë ata, që impenjohen në ndihmë të viktimave, për t’u dhënë sërish besimin
te Kisha, aftësinë për t’i besuar mesazhit të saj”. Papa analizoi arsyet e
pedofilisë, denoncoi me forcë tregun e pornografisë së fëmijëve dhe turizmin seksual,
i cili, sidomos në vendet në zhvillim, kërcënon një brez të tërë. Më tej, problemi
i drogës, keqinterpretimi i lirisë së njeriut dhe diktatura e “mamonës”, e fitimit
me çdo kusht. Benedikti XVI vuri në dukje bazat ideologjike të kësaj gjendjeje, e
cila i ka rrënjët në vitet ’70, kur pedofilia u teorizua si diçka normale. Edhe në
teologjinë katolike, denoncoi Ati i Shenjtë, pati rryma, që theksuan se e mira dhe
e keqja nuk ekzistojnë në vetvete, por varen nga rrethanat e nga qëllimi. Pra nganjëherë,
ajo që është e mirë mund të duket si e keqe dhe anasjelltas. Pasojat e teorive të
tilla, denoncoi Papa, janë sot të qarta. Detyrë e Kishës është t’u shpjegojë njerëzve
kriteret e ethosit të krishterë, ashtu siç i shkruante Papa Gjon Pali II në Enciklikën
“Veritatis splendor” të vitit 1993, tekst, që duhet vendosur sërish në qendër të formimit
të ndërgjegjes. Argumenti i dytë i fjalimit të Papës para kardinajve të Kuries
Romake, qe Sinodi i Ipeshkvijve për Lindjen e Mesme. Benedikti XVI kujtoi se personalitete,
si Këshilltari i Myftiut të Libanit, e ngritën zërin në mbrojtje të të krishterëve,
por edhe se këto zëra mbeten akoma të dobta: “Fjalët dhe mendimet e Sinodit
duhet të jenë një thirrje e fortë për të gjithë njerëzit me përgjegjësi politike apo
fetare, që të ndalin kristianofobinë; të ngrihen në mbrojtje të refugjatëve e të të
vuajturve dhe të gjallërojnë frymën e pajtimit”. Pjesa e fundit e fjalimit,
i kushtohet udhëtimit në Mbretërinë e Bashkuar. Papa kujton fjalët e shqiptuara në
Uestminster Holl, ku pati folur për argumentin e tij të dashur, marrëdhëniet ndërmjet
fesë dhe arsyes, në një shoqëri, që pranon vetëm të vërteta objektive, duke harruar
se ekzistojnë edhe të vërteta, që nuk duken e nuk preken me dorë. Ta përdorësh arsyen
si qëllim në vetvete, pati theksuar Benedikti XVI, do të thotë t’i kundërvihesh vetë
arsyes: “Të luftosh kundër përdorimit të arsyes si qëllim në vetvete e t’i
ruash asaj aftësinë për të parë thelbësoren, për të parë Zotin e njeriun, ç’është
e mirë e ç’është e vërtetë, është interesi i përbashkët, që duhet të bashkojë të gjithë
njerëzit vullnetmirë. Është në lojë e ardhmja e botës”. E duke përdorur shembullin
e kardinalit Njuman, që e shpalli të Lum, pikërisht gjatë vizitës në Mbretërinë e
Bashkuar, Papa tërhoqi vëmendjen drejt domethënies së kthimit të tij në rrugën e Zotit: “Përmes
kthimit të tij në rrugën e Zotit, Njuman pranon së gjërat janë në kahen e kundërt
me sa mendonte më parë: Zoti është shpirti, vetvetja e njeriut në nivelin shpirtëror
e kjo është vërtet reale, kjo ka rëndësi. Kjo është shumë më reale se objektet, që
mund të preken me dorë. Kjo ishte një kthesë kopernikane. Ajo, që deri atëherë dukej
si jo e vërtetë dhe dytësore, na zbulohet si vërtet vendimtare”. Kur njerëzit
kthehen në rrugën e Zotit, shpjegoi Papa, nuk ndryshojnë thjesht një teori, por formën
themelore të jetës. Nga i Lumi Njuman, tha Benedikti XVI më tej, mësojmë domethënien
e vërtetë të fjalës “ndërgjegje”. Ajo nuk është rënie në subjektivizëm, siç ngul këmbë
mendimi modern: “Për të (kard. Njuman) ‘ndërgjegje’ do të thotë aftësi e njeriut
për të shkuar drejt së vërtetës: aftësi për të pranuar në fushat vendimtare të ekzistencës
së vet – në fe dhe në moral – një të vërtetë, të vërtetën me V të madhe. Ndërgjegjja,
aftësia e njeriut për ta njohur të vërtetën, i imponon njëkohësisht detyrën të ecë
drejt së vërtetës, ta kërkojë e t’i nënshtrohet kur e takon. Ndërgjegjja është pra,
aftësia për ta njohur të vërtetën dhe për t’iu bindur asaj, e cila i shfaqet njeriut
me zemër të hapur”. Papa nuk mungoi të përmendë edhe udhëtimet e tjera ndërkombëtare,
ngjarje, në të cilat – tha Ati i Shenjtë - u tregua qartë se feja nuk i përket së
kaluarës, por është një takim me Zotin, që jeton dhe vepron tani, sot, e na hap rrugën
drejt gëzimit të vërtetë. Gjatë audiencës, kardinali Anxhelo Sodano i tregoi Papës
se Kolegji kardinalor ka mbledhur 200 mijë dollarë për të varfërit e të sëmurët e
Haitit e të Irakut. Këto dhurata, fryt i ofertave personale të kardinajve, do t’u
dorëzohen ipeshkvijve të të dyja vendeve, përmes nuncëve apostolikë, me rastin e Krishtlindjes.