2010-12-20 16:39:06

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot flet për Shën Jozefin, njeriun që i besoi plotësisht Zotit.


(20.12.2010 RV)Shën Jozefi është shembull i njeriut, që ka besim të plotë në planin e Zotit për shëlbimin e njerëzve. Figura e atit të kujtuar të Jezusit ishte dje në qendër të reflektimit të Benediktit XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar, si zakonisht, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Papa ia besoi Shën Jozefit, pajtor i Kishës universale, të gjithë barinjtë e Kishës, që jeta e tyre të përkojë gjithnjë më shumë me Vetjen e Jezusit.RealAudioMP3

Shqetësimi i jashtëzakonshëm i një njeriu të ekuilibruar e thellësisht të drejtë dhe prekja hyjnore, që ia rikthen qetësinë e humbur, duke i shpjeguar se çka dukej si tradhti personale, ishte misteri i shëlbimit universal: këto janë dy ndjesitë kryesore që, njëra pas tjetrës, pushtuan zemrën e Shën Jozefit, para e pas zbulesës së Engjëllit. E ishte pikërisht Engjëlli ai, që do t’i kumtonte se e fejuara e tij, Maria, do të lindte një fëmijë, i cili qe paracaktuar të shpëtonte popullin e vet nga mëkatet. Shën Mateu - shpjegoi Benedikti XVI para lutjes së Engjëllit të Tënzot - na tregon si ndodhi lindja e Jezusit, duke e parë në këndvështrimin e Shën Jozefit e duke na rrëfyer sesi hoqi dorë nga mendimi për ta ndarë Marinë, kur Zoti ia hapi sytë për të shikuar në Të, veprën e Hyjit:
“Shën Ambrozi komenton se Zoti e zgjodhi Shën Jozefin, sepse ëmbëlsia e drejtësia e tij e bënte tejet të denjë në cilësinë e dëshmitarit. Ndonëse i trazuar thellë në shpirt, Jozefi vepron ashtu si e kishte urdhëruar Engjëlli i Zotit, i sigurtë se po bënte një gjë të drejtë. Edhe duke ia vënë emrin Jezus asaj Foshnjeje, që mban në duar mbarë universin, ai radhitet në aradhet e shërbëtorëve të përvuajtur e besnikë, të ngjashëm me engjëjt e me profetët, me martirët e me apostujt, ashtu si këndohet në himnet lindore”.
Shën Jozefi - vërejti Papa – kumton mrekullitë e Hyjit, duke dëshmuar virgjërinë e Marisë, dhuratë hyjnore për njerëzit, e duke u kujdesur për Mesinë në jetën e tij tokësore. Pikërisht kjo e bën të denjë për nderim, sepse në të....
"Duket njeriu i ri, që duke e shikuar me besim e guxim të ardhmen, nuk përpiqet të realizojë planet e veta, por lëshohet plotësisht në dorë të mëshirës së pacak të Atij, që do të vërtetojë profecitë e do të hapë kohën e shëlbimit”.
E pikërisht nga shembulli i Shën Jozefit, pajtor universal i Kishës, u nis Benedikti XVI, për një ndjet të posaçëm shpirtëror:
Dëshiroj t’ia besoj të gjithë barinjtë, duke i nxitur t’u ofrojnë besimtarëve të krishterë e mbarë botës propozimin e përvuajtur e të përditshëm të fjalëve e të gjesteve të Krishtit (Letra për Shpalljen e Vitit Meshtarak). Uroj që jeta jonë të shkrihet gjithnjë më shumë me Vetjen e Jezusit, pikërisht sepse Ai, që është Fjala, mishërohet, vjen nga Zoti si njeri e tërheq pas vetes gjithë ekzistencën njerëzore, duke e çuar brenda Fjalës së Zotit”.
Në përfundim të përshëndetjeve në gjashtë gjuhë të ndryshme, Papa u drejtoi të gjitha grupeve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, urimet më të mira për festat:
“Të gjithëve u uroj të diele të gëzuar e Krishtlindje të qetë, në dritën e paqes së Zotit!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.