E diel 19 dhjetor, Kisha kremton të dielën e 4-të të Kohës së Ardhjes, e po
sot më 19 dhjetor kalendari Kishtar përkujton edhe Urbanit V papë e Anastasit papë.
Pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij, janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji,
me dhuratën e shërimit, do të na bëjë jo vetëm të ecim, por edhe të vrapojmë; jo vetëm
të flasim, por edhe të bërtasim, kur është nevoja. Të hënën më 20 dhjetor bie
përkujtimi i Shën Filogonit ipeshkëv. Liturgjia e së kremtes na kujton një kumt
tjetër të Engjëllit të Zotit. Këtë herë është për Marinë: edhe asaj i drejtohet ftesa
të mos trembet as mos të çuditet nga mrekullitë që kryen para syve të saj Zoti. Të
martën e ardhshme më 21 dhjetor, përkujtohet Shën Pjetër Kanizi, meshtar jezuit
e doktor i Kishës dhe e Shën Mikea Profet. Liturgjia e ditës na sjell këtë reflektim:
Krishti është shëlbuesi i vërtetë i njerëzimit e Maria ua dhuroi të gjithë atyre që
duan e dinë ta presin në zemër. Të mërkurën që vjen më 22 dhjetor, kalendari
përklujton festën e Shën Françeska Kabrinit, virgjër, themeluese e misionareve
të Zemrës së Krishtit. Liturgjia e së kremtes së saj na kujton se Zoti vijon të bëjë
mrekulli gjithnjë e për të gjithë, por njeriu i përvujtë është i aftë ta pranojë dhuratën
e Hyjit Të enjten më 23 dhjetor, përkujtohet shën Gjoni i Ketit. Ai me jetën
dhe misionin e tij, na kujton se në rrjedhë shekujsh nuk kanë munguar kurrë lajmëtarët
e Zotit, që na ndihmojnë ta njohim më thellë e ta jetojmë më përkushtueshëm fenë tonë.
E dita e sotme na kujton edhe se, pas shtegtimit liturgjik njëvjeçar, jemi shumë pranë
cakut: “Ta ngrejmë kokën lart, shpëtimi ynë është fare pranë!”. Të premten
e ardhshme më 24 dhjetor, bie Nata e Madhe e Krishtlindjes. Në këtë ditë, kur
kalendari Kishtar përkujton edhe festën liturgjike të Shenjtoreve Tarsila e Irma,
ridëgjojmë profecitë mesianike për Jezusin e falënderojmë Zotin, që vjen përsëri mes
nesh. Hyji deshi të bëhej njeri, duke hyrë në historinë konkrete të njerëzimit. Gjenealogjia
e gjatë e fisit të Jozefit na dëshmon se Jezusi Zot i përket popullit hebraik e mbarë
njerëzimit. Me 24 dhjetor kremtojmë lindjen e Foshnjës Hyjnore në Betlehem, kremtojmë
festën kur Krishti fëmijë rilind në zemrat e njerëzve, në zemrat e atyre që besojnë
e të atyre që nuk besojnë, sepse Zoti vjen në botë për të gjithë, duke u sjellë si
dhuratë vetveten.
Të shtunën më 25 dhjetor,do të kremtojmë Lindjen
e Zotit tonë Jezu Krishtit. Është Dita e Madhe e Krishtlindjes, Dita e festës
së Mishërimit të Zotit kur gjithçka nis përtëritjen; errësira bëhet dritë e Engjëjt
mbi Shpellën e Betlehemit këndojnë: “Lumni Zotit në qiej të larta e paqen në tokë
njerëzve, që ai i do!”, ndërsa besimtarët rijetojnë mrekullinë e Betlehemit në Meshët
e Mesnatës e të Ditës së Lindjes së Shelbuesit të botës, Jezu Krishtit Zot. Të
dielën e ardhshme më 26 dhjetor kalendari Kishtar kremton solemnitetin e Familjes
Shenjte të Nazaretit – që në traditë njihet si ‘Konaku Shenjt’, e po më 26 dhjetor,
Kisha përkujton edhe Shën Shtjefnin, martirin e parë të krishterimit.