2010-12-18 15:27:48

Mesazhi i Papës për Ditën e Paqes. Kardinali Turkson: respektimi i lirisë fetare do të thotë të mbrohet dinjiteti i njeriut


Të enjten e kaluar, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë u paraqit Mesazhi i Papës Benedikti XVI për Ditën Botërore të Paqes 2011, me temë “Liria fetare, rrugë për paqen”. Është shenjë e impenjimit të jashtëzakonshëm të Kishës Katolike në mbrojtje të lirisë së fesë, e drejtë, që ka të bëjë me njeriun dhe dinjitetin e tij. Ndër të pranishmit, gjatë paraqitjes së mesazhit, ishte edhe kryetari i Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinali Peter Koduo Apiah Turkson, i cili vuri në dukje se cilët janë sot, armiqtë e fesë, duke filluar nga fanatizmi, tek fondamentalizmi e laicizmi.
“Ushtrimi i së drejtës për liri fetare si rrugë për paqen përfshin njohjen e harmonisë ndërmjet dy fushave dhe dy formave të jetës: asaj private dhe asaj publike, të individit e të bashkësisë. Shteti duhet ta mbrojë lirinë e fesë, pasi ajo është pjesë e njeriut”.
“Liria fetare – shkruan Papa në Mesazh – është armë e vërtetë për paqen, me një mision historik e profetik…Ajo vlerëson dhe bën të japin fryte cilësitë e mundësitë më të brendshme të njeriut, të afta ta ndryshojnë e ta përmirësojnë botën”.
E më tej: “Liria fetare na lejon të kemi shpresë për një të ardhme në drejtësi e në paqe, edhe para padrejtësive të rënda e mjerimit material e moral. Uroj – përfundon Benedikti XVI – që të gjithë njerëzit dhe shoqëritë e çdo niveli, në çdo kënd të Tokës të mund ta provojnë sa më shpejt lirinë e fesë, rrugë për paqen”.







All the contents on this site are copyrighted ©.