2010-12-18 15:17:54

Atë Lombardit: Papa mbron lirinë e të gjithëve


Pikërisht, mesazhit të Papës për Ditën Botërore të Paqes i kushtohet komenti i kësaj jave i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit. Ta dëgjojmë:
“Të krishterët janë aktualisht grupi fetar, që vuan më shumë persekutime për shkak të fesë”. Është një nga pohimet, që bëjnë më shumë përshtypje në Mesazhin e Papës për Ditën e ardhshme të Paqes, sepse shumë vazhdojnë të mendojnë gabimisht se të krishterët janë përgjithësisht në pozicione pushteti e se në më të shumtën e rasteve, diskriminohen ndjekësit e feve të tjera, madje për faj të të krishterëve. Dokumentacioni në rritje, nga burime të besueshme, na detyron ta ndryshojmë këtë perspektivë. E është e drejtë ta theksojmë këtë.
Por nuk është ky, thelbi i Mesazhit. Ai – si çdo vit – i drejtohet, me horizont të gjerë, krejt njerëzimit, duke bërë thirrje për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut, të çdo njeriu, e duke kërkuar respektimin e një të drejte themelore. Pra, nuk është mesazh vetëm në favor të të krishterëve. Është mesazh në favor të të gjithëve, që mban mbi vete shenjën e përvojës së drejtpërdrejtë – edhe të vuajtjes e të vdekjes – së të krishterëve, të cilët, për të gjithë, duan të drejtën për ta kërkuar Zotin, për ta njohur e për ta nderuar në jetën e tyre, si personalisht, ashtu edhe bashkë me të tjerët. Pa respektimin e kësaj së drejte, të të gjithëve e për të gjithë, nuk mund të ndërtohet një bashkësi paqësore. Fanatizmat, fondamentalizmat dhe shekullarizmi agresiv janë armiq të paqes së vërtetë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.