Sot Kisha katolike kremtoi festën e Shën Danielit Profet
(17.12.2010 RV)Danieli, i fundmi i profetëve që njihen si ‘të mëdhenj’, mendohet
të ketë lindur në Jeruzalem në një familje fisnike hebreje, ndoshta në farefisni me
mbretërit e Judës. U internua në Babiloni ndërmjet viteve 606-605 para Krishtit. Këtu,
së bashku me tre djelmosha të tjerë, të tre fisnikë judenj: Anania, Azaria e Misaeli,
u zgjodh për të shërbyer në oborrin e mbretit, ku gëzoi poste të larta zyrtare. Falë
mençurisë e drejtësisë së tij e bëri për vete mbretin aq, sa u emërua Princ i Babilonisë
e prefekt mbi gjithë të urtit e mbretërisë. Gjykimi i parë i drejtë i tij, ishte
ai që i bëri Suzanës përballë tre pleqëve imoralë, të cilët donin ta dënonin, sepse
nuk u ishte nënshtruar dëshirave të tyre të flligështa. Vjen, pastaj, dënimi,
së bashku me tre shokët, pas padisë së babilonezëve se nuk pranonte të adhuronte shtatoren
e mbretit. Flakja në furrën e ndezur. E shpëtimi i mrekullueshëm nga engjëjt. Shpella
e luanëve, pastaj, prej nga del fare i pacënuar. E shpjegimi i fjalëve enigmatike
“Mane’ Thekel, Phares”, gjatë një gostie të zëvendës-mbretit, në të cilën dhunoheshin
enët e Tempullit të Jeruzalemit, orgji që e ndaloi vetë dora e Zotit me shkrimin e
zjarrtë të shenjave të pakuptueshme në murin e sallës, ku talleshin gostiarët. Danieli
i lexoi dhe i shpjegoi. Paralajmëronin fundin e Baltazarit e të mbretërisë së tij,
vendim që u zbatua po atë natë, me fitoren e perandorisë persiane mbi atë babiloneze
(538). U dallua në gjirin e oborrit edhe si njeri, që dinte të shpjegonte ëndrrat,
e si gjykatës i drejtë. Gjatë jetës, pati një mori vegimesh tronditëse. E dëshmoi
përmes shenjave të jashtëzakonshme emrin e Hyjit të judenjve që, falë tij, u njoh
me dekret mbretëror si Hyji i vetëm e i vërtetë, i aftë për të shpëtuar ata, që besonin
në të. Danieli, që mbeti gjallë pas shembjes së perandorisë së re babiloneze (539-38),
të cilën e kishte paralajmuar gjatë vegimit, arriti të shikonte edhe vitet e para
të perandorisë persiane, para se të vdiste, në pleqëri të shtyrë. Përkujtohet më 17
dhjetor, së bashku me tre shenjtorët e tjerë të Besëlidhjes së Vjetër: Ananinë, Azarinë
e Misaelin.