2010-12-17 16:56:41

Benedikti XVI: nga Bredhi i Krishtlindjes e nga Shpella e Betlehemit buron mesazhi i vëllazërisë, që e davarit trishtimin.


(17.12.2010 RV)Një simbol, që e pasuron vlerën simbolike të Shpellës e që, së bashku me ikonën e Betlehemit, i flet botës për shpresë e paqe. Kështu e përshkroi Benedikti XVI sot paradite Bredhin e Krishtlindjes, që u përurua pasdite, në orën 16. 30. Bredhi, dritat e të cilit u ndezën gjatë përurimit, vjen nga Komuna e Adigjes së Epërme, në provincën e Bolzanos, pranë Bresanones. Është bredh i kuq, 93 vjeçar, 26 metra i gjatë, që iu dorëzua simbolikisht Atit të Shenjt, nga një delegacion vendas prej 300 vetësh, pritur sot në Vatikan.RealAudioMP3

Takim tradicional, ky, për këtë kohë në Vatikan, por për shumkënd, edhe rikthim në kohë të kaluara, që ringjall në kujtesë vende, kohë e fytyra të dashura e, në shoqëri të njerëzve që sollën ndërmjet afreskeve rinashimentale të Sallës Klementine atmosferën familjare të Krishtlindjes, edhe kujtimin e traditave të festës në vendin ku bredhi jetoi 93 vjet. Për Benediktin XVI ky takim me besimtarët e ardhur nga Jugu i Tirolit, ishte rast për të festuar e për të shprehur mirënjohjen, por edhe për të reflektuar mbi kuptimin që kanë, pranë Shpellës ku lindi Krishti, dritat dhe stolitë, të cilat vezullojnë çdo vit mbi Shpellën e Betlehemit në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit e në miliona shtëpi, përhapur nëpër botë, në male e fusha, qytete e fshatra e deri në skajet më të largëta, ku ndërrohen stinët e bredhi vezullon herë nën dëborë e herë nën rreze tropikale diellore:
Bredhi i Krishtlindjes pasuron vlerën simbolike të Shpellës së Betlehemit, që është mesazh i vëllazërimit e i miqësisë; grishje për bashkim e paqe, ftesë për t’i bërë vend, në jetën tonë e në shoqëri, Hyjit, i cili na dhuron dashurinë e tij të gjithëpushtetshme përmes figurës së brishtë të një Ferishteje, sepse dëshiron që dashurisë së tij t’i përgjigjemi lirisht me dashurinë tonë”.
Bredhi, i prerë pa dëmtuar jetën e pyllit e i zbukuruar këndshëm, që do të rrijë pranë Shpellës së Betlehemit deri në përfundim të festimeve të Krishtlindjes, për t’u admiruar nga shtegtarët e shumtë, që do të vijnë këto ditë në Vatikan nga të katër anët e botës, u përurua nga kardinali Gjovani Lajojo, kryetar i Governatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit.
Dritat, që do të ndizen, tha Benedikti XVI në takimin e paradites, janë simbol i dritës që Krishti, me lindjen e tij, i solli njerëzimit për të davaritur errësirën e gabimit, të trishtimit, të mëkatit:
Shpella e Betlehemit e Bredhi sjellin një mesazh shprese e dashurie e ndihmojnë në krijimin e klimës të përshtashme për ta jetuar në përmasën e duhur shpirtërore e fetare, misterin e Lindjes së Shëlbuesit”.
Duke pritur delegacionin jug-tirolez, Papa i falënderoi përzemërsisht të pranishmit për dhurimin e bredhit të madh të kuq, por edhe sepse sollën në Romë doket tradicionale, muzikën e Krishtlindjes si dhe specialitetet ushqimore të tokës së tyre të mrekullueshme. Ati i Shenjtë kujtoi veçanërisht yjet prej kashte, realizuar nga gratë e Bresanones, si element tipik i traditës së vendeve të gjuhës gjermane për zbukurimin e pemës së festës.
Por, një falënderim edhe më i ngrohtë, ishte ai që Benedikti XVI i drejtoi kryetarit të bashkisë së Naz-Shaves për faktin se dëshiron t’i dorëzojë...
“…die Ehrenbürgerwürde verleihen...
... qytetarinë e nderit, në kujtim të nënëdajes, me origjinë nga Rasa, një fraksion i Komunes. Zoti jua shpërbleftë për gjithë këto shfaqje të këndshme të dashurisë suaj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.