2010-12-16 16:45:04

Shqipëria hedh poshtë akuzat e Dik Martit për Thaçi


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha e Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli hedhin poshtë akuzat e ngritura nga raportuesi i KE, Dik Marti, për Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Në një raport të tij, Marty e identifikon kreun e ekzekutivit kosovar si bos të mafias në Kosovë. Qëndrimi i autoriteteve shqiptare erdhi gjatë takimeve që ata patën me Drejtorin e Përgjithshëm për Demokracinë dhe Çështjet Politike në Këshillin e Evropës, Zhan Lui Lorans (Jean Louis Laurens). Berisha e konsideroi të pabazuar në fakte raportin e Dik Marti, ndërsa akuzoi këtë të fundit për anshmëri politike dhe për abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Evropës. "Raporti i anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Dik Marti është një raport totalisht i pabazuar në asnjë fakt, evidencë apo realitet, çka dëshmon për një anësim politik të qartë të autorit, duke përbërë abuzim flagrant me autoritetin e Këshillit të Evropës", tha Berisha.
Në të njëjtën linjë me kryeministrin Berisha edhe kryeparlamentarja e Shqipërisë Topalli. Gjatë një takimi të zhvilluar me Zhan Lui Lorans ajo konfirmoi të njëjtin qëndrim lidhur me raportin e deputetit zviceran. Sipas zonjës Topalli ky raport është i pabazuar në asnjë fakt, dhe dëshmon shpërdorim të paprecedent të detyrës nga ish prokurori Dik Marti. "Nëse deputeti nuk paraqet fakte për ato që ka shkruar dhe nuk i paraqet këto në Gjykata, do të ishte në nderin e Këshillit të Evropës, të kërkojë një ekspertizë mjeko ligjore për Reporterin zviceran, si dhe një hetim tërësor rreth rrethanave që kanë shtyrë Dick Marty të prodhojë një raport të tillë . Raporti i Dik Martit është i pabazuar në fakte dhe dëshmon shpërdorim të paprecedent të detyrës nga ai", tha Topalli.







All the contents on this site are copyrighted ©.