2010-12-16 13:42:45

Papa: liria fetare është forcë autentike e paqes


“Liria fetare është armë autentike e paqes, me një mision historik e profetik”. Ky është një ndër pohimet e mesazhit të Papës për Ditën Botërore të Paqes 2011 kushtuar lirisë fetare.
“Liria fetare – vijon Ati i Shenjtë – vlerëson e sjell fryte me cilësi të thellë e potencialin e njerëzve, që janë të aftë ta ndryshojnë e ta bëjnë më të mirë botën”.
“Ajo mundëson (liria fetare) – shkruan akoma Papa në mesazhin e tij për Ditën botërore të paqes – të ushqehet shpresa drejt një të ardhme të drejtë e paqësore, edhe para padrejtësive të rënda e edhe para mizorive materiale e morale. Uroj që të gjithë njerëzit dhe të gjitha shoqëritë të çdo niveli e të çdo vendi të Tokës të mund ta përjetojnë lirinë fetare, si udhë për paqe”.
Papa Benedikti XVI ripohoi sot të drejtën e çdo njeriu të mos “ndeshen në pengesa, nëse eventualisht dëshiron të aderojë e kalojë në një tjetër fe apo të mos rrëfejë e besojë asnjë”. “Liria fetare – shkruan Papa Racinger në mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes, titulluar ‘Liria fetare, udhë e paqes’ që u përhap sot nga Vatikani, është , në këtë kuptim, një fitore e qytetërimit politik e juridik. Ajo është një e mirë thelbësore: çdo njeri duhet të ketë mundësinë ta ushtroi lirisht të drejtën e rrëfimit e të manifestimit, në mënyrë individuale apo komunitare, të fesë personale apo besojmë personale, si publikisht e po kështu edhe privatisht, në arsim, në praktika, në botime, në kult e në zbatimin e riteve. Nuk do të duhej të haste në pengesa, po të dëshironte, eventualisht, të përqafonte një fe tjetër apo edhe mos të besojë fare në asnjë”. Në këtë fushë, ligji ndërkombëtar rezulton të jetë emblematik – vijon Papa – dhe është një referim thelbësore për Shtetet, që duhet të garantojnë ushtrimin e lirisë fetare pa kufizime e pa shkelje, me përjashtim të kërkesës legjitime që kërkon e drejta e rendit publik".







All the contents on this site are copyrighted ©.