2010-12-16 15:39:49

Isa Mustafa kërkon zgjedhje të reja dhe një qeveri teknike


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kërkon zgjedhje të reja në Kosovë sepse, sipas tij, edhe po të rivotohej në Skenderaj dhe Drenas, procesi zgjedhor i së dielës në Kosovë nuk do të përmirësohej. Në një intervistë në "Top Channel" ai tha se është bërë vjedhje masive e votave në tërë Kosovën dhe e quajti "qeveri hajdute" atë që mund të krijohet mbi bazën e votave të manipuluara.
"Dyshoj për rezultatin dhe si i tillë ai është i paqëndrueshëm pasi ka pasur shumë parregullsi. Ka pasur mbushje të kutive jashtë çdo lloj rregulli. Habitem se si disa media po i trajtojnë këto lajme, pasi edhe sipas KQZ, procesi ka pasur parregullsi dhe nuk mund të merren parasysh votat që janë hedhur në mënyrë të paligjshme. Problemi është që abuzimet janë aq të mëdha sa e komprometojnë këtë proces", deklaroi ai.
Isa Mustafa kritikoi edhe faktorin ndërkombëtar se nuk është i interesuar për krijimin e demokracisë në Kosovë, por do që të krijojë një qeveri "kukull" me të cilën do të hynte në bisedime me Serbinë për t'i arritur qëllimet e veta. "Po japin deklarata të papërgjegjshme, pasi këtu thonë se ka parregullsi, por kur venë në Bruksel thonë se gjithçka ka shkuar në rregull. Ata nuk janë të interesuar për demokracinë në Kosovë, por janë të interesuar të vendosin një qeveri kukull që do i shërbente atyre për zhvillimin e negociatave me Serbinë", është shprehur Mustafa.
"Do ishte më mirë që të ripërsëriten votimet. Kjo është zgjidhja më e mirë. Zgjidhjet e tjera kanë për të qenë të pjesshme. Janë mbi 14 mijë vota në Skenderaj, që do të thotë se i gjithë procesi është montuar", tha mes tjerash në këtë intervistë për "Top Channel", Isa Mustafa. Ndërkaq në një intervistë mbrëmë në emisionin Rubikon të KTV së, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë vendin. Ai deklaroi se të paktën në shtatë komuna ka nevojë për rivotim, e jo vetëm në Skenderaj e Drenas.
Mustafa kritikoi edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë se vetë ata e kanë thirrur në telefon për të denoncuar shkeljet dhe vjedhjet që po i bëhen LDK së, por sipas tij, pastaj ata kanë dalë vetëm me vlerësime të përgjithshme. Lideri i LDK së propozon formimin e një qeverie teknike deri në një vendim konkret për situatën lidhur me zgjedhjet. Për këtë ai ka deklaruar se do të flasë me ushtruesin e detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi.
Mustafa theksoi se e gjithë kjo që ka ndodhur ka qenë e përgatitur nga një skenar, ku ka kontribuar edhe një televizion, pa e përmendur emrin e tij. Ai përsëriti se në asnjë rrethanë nuk do të hyjë në koalicion me PDK në, madje as në nivel lokal, siç është rasti për zgjedhjet e së dielës në Rahovec, ku kandidati i LDK së është në balotazh me atë të AAK së.







All the contents on this site are copyrighted ©.