2010-12-15 14:16:24

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”:
Kush je ti?


Njeri, mos mendo kurrë se je i vetëm. Zoti të ndjek me sy ngado që shkon. Të thërret me emër. Edhe atëherë kur nuk e dëgjon, sepse nuk dëshiron ta dëgjosh. Të shikon e të kupton. Të njeh më mirë se e njeh ti vetveten. Është ai, që të krijoi! Prandaj ta di gjithçka të zjen në kokë e në zemër. Mendimin. Tundimin. Forcën. Ligështinë. Të ndjek me sy në ditët e gëzimit e të trishtimit. E ke pranë, në shpresë e dëshpërim. Interesohet për çdo ankth tëndin, për çdo rënie e lartim të shpirtit. Zoti e di edhe sa fije flokësh ke në kokë: t’i ka numëruar. Ai të mban në krahë, kur rrezikohesh të rrëzohesh e të vë rishtas në tokë, që të mund të ecësh, atje ku duhet ecur. E vëren edhe shprehjen e fytyrës sate: e di kur qesh e kur qan, kur je shëndosh e kur je i sëmurë. Ai t’i ruan këmbë e duar, ta dëgjon zërin, rrahjen e zemrës e deri frymëmarrjen. Ti nuk mund ta duash kurrë vetveten, aq sa të do ai, që të krijoi. Kur ty të dhemb, atij i dhemb edhe më tepër e kur të mërzitet vetja, ai të merr butë mbi shpatulla e të çon atje, ku të pret një e mirë e madhe, e papritur.
Ti nuk je vetëm krijesë. Je njeri i rilindur e i shenjtëruar, je biri i Tij në shpirt, i përshkuar nga një rreze lumnie e bekimi, që zbret papushim nga Biri i vetëm i Hyjit. Je një nga ata, për të cilët Krishti lindi në Shpellën e Betlehemit, për të derdhur, më pas, edhe gjakun e vet të paçmueshëm. Ky je ti, o njeri i të gjitha moteve!







All the contents on this site are copyrighted ©.