2010-12-15 17:48:00

Trafik organesh në Kosovë. Përfshihet edhe Thaçi.


(15.12.2010 RV)Krerët e UÇK-së në Kosovë janë përgjegjës për trafik organesh në fund të viteve ’90. Kjo akuzë e rëndë gjendet në raportin e përpiluar nga zvicerani Dik Marti, i cili ka hetuar çështjen për llogari të Këshillit të Evropës. Sot, raporti ndodhet i publikuar përmbledhtas në faqen e internetit të Asamblesë së këtij Këshilli, i cili do ta diskutojë nesër.
Sipas Dik Martit, i cili ka shqyrtuar dokumente dhe ka dëgjuar dëshmitarë për problemin, kryeministri aktual Hashim Thaçi dhe ish-liderë të tjerë të UÇK-së janë përfshirë në biznese të ndryshme të kriminalitetit të organizuar, nga droga, tek trafiku i armëve e ai i organeve. Disa nga këto aktivitete, vazhdohen edhe sot, në bashkëpunim me grupe kriminelësh në vendet fqinjë, sidomos në Serbi e Shqipëri. Përmenden me emra përgjegjësi i shëndetësisë e krerë të tjerë të UÇK-së, që janë marrë me organizimin e trafikut të organeve, në bashkëpunim me përfaqësues ndërkombëtarë e me klinika në Shqipëri. Dik Marti sqaron se hetimi filloi nga shënimet e ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte, e cila kishte shprehur në ditarin e vet dyshimet për trafikun e organeve në Kosovë.
Bashkimi Evropian, përmes zëdhënëses së Përfaqësueses së Lartë për politikën e jashtme dhe sigurinë, Kathrin Eshton, deklaroi sot se i merr shumë seriozisht akuzat kundër liderëve kosovarë. Maja Kocijançiç e ftoi autorin e dokumentit të paraqesë provat para organeve kompetente. Ndërkaq, qeveria e Prishtinës i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke i interpretuar si përpjekje e serbëve për diskriminimin e udhëheqjes kosovare.








All the contents on this site are copyrighted ©.