2010-12-15 19:04:22

Sot Kisha përkujtoi Shën Paolën, Virgjër.


(15.12.2010 RV)I jati, Klement di Roza, ishte sipërmarrës breshian. E ëma, Kamila Albani, fisnike bergamaske. Vdiq kur Paola ishte vetëm 11 vjeçe. Në këtë moshë vajza hyri në kolegjin e Vizitacionit, për të vijuar studimet. Doli që aty në moshën 17 vjeçare. I jati e priti me padurim, për ta parë nuse. Po vasha tashmë e kishte zgjedhur Dhëndrrin, duke bërë, që në Institut, kushtin e pastërtisë. Atëherë i jati e caktoi të drejtojë një fabrikë për tjerrjen e mëndafshit, pronë e familjes. Por Paola, më shumë se fabrikës, i kushtoi vëmendje nevojtarëve dhe edukimit fetar të 32 vajzave, që u mblodhën reth saj, duke formuar kështu, bërthamën e një kongregate të ardhshme rregulltare. Bashkë me ta e me disa infermiere vullnetare, punoi pa kursyer as jetën për të ndihmuar viktimat e kolerës së vitit 1836, duke themeluar edhe dy shkolla për shurdh-memecët. Vendi ku jetoi shenjtorja e ardhshme, ndonëse njihej me emrin Mbretëria Lombardo-Venete, ishte nën sundimin austro-hungar. Qeverisej nga arkiduka Ranieri i Habsburgëve, me titullin zëvendës-mbret. Austriak, edhe kryipeshkvi i Milanos, kardinali Gaetano Gaysruck, shpesh në polemikëme sundimtarët. E pikërisht kundër këtyre sundimtarëve, shumë shpejt shpërthen pakënaqësia popullore. Paola, përkrah njerëzve të vet, jep një ndihmë të pallogaritshme, sidomos në pranverën e tmerrshme të vitit 1849, gjatë ‘dhjetë ditëve’, kur qyteti ngre krye me armë në dorë kundër austriakëve.
Në vitin 1851 bashkësia, që u grumbullua rreth Paolës, u njoh si Kongregata rregulltare e “Shërbëtoreve të dashurisë së krishterë”. Më 1852 Paola Françeska bëri kushtet e përjetshme, duke ndërruar edhe emrin. Mbeti në historinë e Kishës si Motra Maria e Kryqëzuar. Vdiq në moshën 42 vjeçare, në vitin 1855. Piu XII Paçeli do ta shpallte Shenjtore në vitin 1954. Reliket e Shën Paolës nderohen në Shtëpinë-nënë të Kongregatës së saj.
“Lindur në Bresha, Shën Maria e Kryqëzuar di Roza, virgjër, ia kushtoi të gjitha pasuritë e të gjithë vetveten, shpëtimit shpirtëror e material të të afërmit, duke themeluar edhe Institutin e Shërbëtoreve të dashurisë së krishterë” – kështu e pikturon portretin e saj, Martiriologu Romak. Simboli i Shën Paolës di Roza është ai i virgjëreshave: zëmbaku i bardhë.








All the contents on this site are copyrighted ©.