2010-12-15 17:49:31

Papa në audiencën e përgjithshme, kushtuar Shën Veronika Gjulianit: vdekja nuk është fjala e fundit e jetës!


(15.12.2010 RV)Ta ngrohim zemrën me Eukaristinë, me bindjen se vdekja nuk është fjala e fundit mbi jetën njerëzore. Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, Benedikti XVI i propozoi përsëri Kishës bashkëkohore të fshehtën e Shën Veronikës Gjuliani. Papa foli për jetën shpirtërore të mistikes, 350 vjet pas lindjes së saj. Ky jubile i Veronikës, që ishte shumë e njohur në shekullin e 17-të, do të kremtohet më 27 dhjetorin e ardhshëm.RealAudioMP3

“Të përflakesh nga dashuria për Krishtin. Ta duash me të gjithë forcën, aq sa mund ta lejojë korpi e shpirti njerëzor. T’ia dhurosh vetveten deri në atë masë, sa, në një farë mënyre, ta grisësh velin, që të pengon të shikosh Parajsën”. Ky ishte caku, ku dëshironte të arrinte shpirti i Veronika Gjulianit. Zemra e saj, e dashuruar me Jezusin që në vashëri e deri në vdekje, në vitin 1727, pas 50 vjetësh të jetuara në manastirin e Klariseve të Qytetit të Kastelos, në Umbria të Italisë, ishte vendi – tregoi Papa – në të cilin ndërthuren vuajtjet e saj të mëdha dhe përvoja mistike lidhur me Mundimet e Krishtit. Ditari i Veronikës, me 22 mijë faqe, dorëshkrim pa asnjë shlyerje e asnjë korrigjim, të krijon përshtypjen e një vale mendimesh, që derdhej pa asnjë pengesë mbi kartë, zbulon – shpjegoi Benedikti XVI – rrënjën e një përshpirtërie tipike kristologjiko-sponsale:
Është përvoja e njeriut, që provon se Krishti, Dhëndërr besnik e i sinqertë, e do e pret, si përgjigje, një dashuri gjithnjë më të thellë e më të pasionuar. Në të gjithçka interpretohet me çelësin e dashurisë, e kjo i ndikon në shpirt një paqe qiellore. Gjithçka jetohet në bashkim me Krishtin, për dashuri të Tij e me gëzimin se kështu mund t’i dëshmosh se e do, aq sa mund të dojë një krijesë njerëzore”.
Figura e Jezusit, me të cilën Veronika ndjehet thellësisht e bashkuar, është ajo që e paraqet në çastin kur i dhurohet Atit për shpëtimin e Kishës e të njerëzimit. Mistikja e madhe - tha Papa – përpiqet t’i përngjasë, lutet, vuan, kërkon varfërinë e shenjtë, bën çmos të zhvishet krejt nga vetvetja, ta humbasë veten, pikërisht për t’u bërë si Krishti:
Zemra e saj është aq e madhe, sa t’i zërë të gjitha nevojat e Kishës Shenjte e ta jetojë me ankth dëshirën për ta parë shëlbimin e gjithë botës. E pushtuar nga dashuria, komunikon me motrat e kuvendit plot vëmendje, mirëkuptim, ndjesë. I ofron lutjet e flijimet për Papën, ipeshkvin e saj, për meshtarët e për të gjithë njerëzit nevojtarë, duke përfshirë edhe shpirtrat e purgatorit. Shenjtorja jonë e koncepton këtë mision si të ishte ndërmjet njerëzve e Zotit, ndërmjet mëkatarëve e Krishtit të Kryqëzuar”.
Në një lartim të vazhdueshëm mistik, Veronika rijeton përvojën e Kryqëzimit e të plagëve të Zotit. E pra – theksoi Papa - një lartim kaq i jashtëzakonshëm, nuk e çoi kurrë shpirtin e saj në egoizëm shpirtëror:
“Në krahasim me predikimin e epokës, që shpesh përqendrohej tek shëlbimi i shpirtit në terma individuale, Veronika tregohet thellësisht solidare, mendon për bashkimin e të gjithë vëllezërve e motrave në udhën drejt qiellit, jeton, lutet e vuan për të gjithë”.
Të prek thellë – vijoi Benedikti XVI – përkimi i plotë me vegimet e Shkrimit Shenjt. Prandaj përvoja e Mistikes na udhëheq për një lexim më të thellë të tekstit të shenjtë. Kështu, kur Veronika Gjuliani ndalohet tek një fragment i Shën Palit, të duket sikur dëgjon vetë Apostullin, deri në pohimin:
“Asgjë nuk mund të më ndajë nga vullneti i Zotit, as ankthet, as vuajtjet, as mundimet, as përbuzjet, as tundimet, as njerëzit, as djajtë, as errësira, e as vetë vdekja, sepse në jetë a në vdekje, e dua gjithçka, e në gjithçka, dua vullnetin e Zotit”. E kjo na siguron se vdekja nuk është fjala e fundit e jetës, sepse, në vullnetin e Zotit, jemi të caktuar për jetën e pasosur”.
Të kujton aq shumë ky fragment fjalët e Shën Palit: “As vdekja, as jeta, as ëngjëjt as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as lartësitë as humnerat e asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 8,35-39). E njëjta siguri. Gëzimi i thellë që i prin apostullit, është edhe gëzimi, që i prin mistikes në të gjitha ngjarjet e jetës, të cilat i jeton me bindjen: asgjë nuk do të mund të më ndajë prej dashurisë së Hyjit. E kjo dashuri, pasuria e vërtetë e jetës njerëzore është edhe pasuria që na lë trashëgim mistikja e gjashtëqindës, e cila na fton ta thellojmë në jetën tonë të krishterë, bashkimin me Zotin, duke e lëshuar plotësisht vetveten në duart e tij, me besim të patundur, e duke qenë gjithnjë në bashkim të ngushtë me Kishën, Vashën e Krishtit:
“Na fton të ushqehemi ditë për ditë me Fjalën e Zotit, për ta ngrohur zemrën e për ta orientuar jetën tonë. Fjalët e fundme të Shenjtores mund të konsiderohen si sintezë e gjithë përvojës së saj të pasionuar mistike: “Gjeta dashurinë! Dashuria më la ta shoh!”.
Në fillim të audiencës, Benedikti XVI shpjegoi pse u largua përkohësisht nga epoka mesjetare, prej kohe objekt i katekizmave të tij, për të paraqitur një figurë të shekullit të 17-të. E kujtoi mistiken, duke pasur parasysh se dioqeza e Qytetit të Kastelos po përgatitet të kremtojë, me veprimtari shumë të pasura, 350-vjetorin e ditëlindjes së Shenjtores, që pa dritën së pari, më 27 dhjetor 1660.
Gjatë përshëndetjeve, Papa iu drejtua posaçërisht besimtarëve të Umbries, të pranishëm në Sallën e Palit VI si dhe ipeshkvit të tyre, imzot Domeniko Kançian. Përshëndeti edhe pjesëmarrësit në Kongresin ndërkombëtar të baritorisë për artistët e cirkut dhe zbutësit e kafshëve të egra, që vijon në Vatikan, përshëndetje së cilës artistët iu përgjigjen me një numër akrobatik, realizuar nga katër ekuilibristë, që u duartrokit stuhishëm nga Papa dhe pjesëmarrësit në audiencë.







All the contents on this site are copyrighted ©.