2010-12-15 17:51:42

Atentat i përgjakshëm në Iran, në një xhami shiite


(15.12.2010 RV)39 të vdekur e 50 të plagosur. Ky është bilanci tragjik i atentatit vetëvrasës të paradites së sotme, në xhaminë shiite të Kabaharit, në juglindje të Iranit. Shpërthimi i dyfishtë ndodhi në prag të festës islamike të Hashures, gjatë së cilës kremtohet martirizimi i imamit Hysein. Është një episod i ri ky, që tregon se në Republikën Islamike veprojnë forca, të cilat kanë për qëllim destabilizimin e vendit. Të dëgjojmë komentin e pedagogut të gjeopolitikës në Universitetin Katolik të Zemrës së Krishtit, italianin Rikardo Redaeli:RealAudioMP3
Irani ka qenë gjithnjë një vend me shumë fytyra. Ne e shohim si monolit, por në të vërtetë nuk është i tillë, së pari nga pikpamja etnike, sepse persianët janë vetëm një pjesë e popullsisë. Në veçanti, marrëdhëniet nuk janë shumë të mira me pakicën arabe në jug e sidomos, me balukët, që jetojnë në juglindje, në Shishtan-Balukistan, ku bëhen shpesh atentate në xhami. Irani nuk është monolit edhe nga pikpamja fetare: është shiit, por ka edhe grupe sunite, si arabët e balukët. Nuk është as nga pikpamja politike: pikërisht gjatë viteve të fundit kemi ndjekur përçarjen e elitës së regjimit në fuqi. Pra, Irani është një vend me më shumë fytyra e më i ndërlikuar, nga sa mund të mendohet.
Cili është qëllimi i këtij atentati, sipas jush?
Në krejt botën islamike, gjatë kremtimeve për martirizimin e imamit Hysein, dalin në pah grupe terroriste sunite, që i urrejnë shiitët dhe nuk i njohin si myslimanë të vërtetë. Kështu, sulmojnë xhamitë e tyre dhe grupet, që foromohen për festën. Në Balukistan, kësaj i shtohet edhe aspirata politike për autonomi. Balukët kanë qenë gjithnjë kundër Teheranit e në mesin e tyre, ka grupe, që përdorin metoda terroriste, si atentatet. Veçori tjetër është se veprimtaria e këtyre grupeve është e lidhur me trafikun e drogës. Droga, që prodhohet në Azinë qendrore e në Afganistan shkon në tregjet perëndimore kryesisht përmes Balukistanit. Flasim për trafikë, që vlerësohen në miliona dollarë në vit, prandaj trafikantët e mëdhenj mund të lëvizin me qindra militantë.
Si i kontrollon këto prirje autonomiste qeveria e Teheranit?
Tradicionalisht, Teherani nuk ka pasur kurrë probleme dhe ka përdorur si shtypjen, ashtu edhe përfshirjen. Me ardhjen në pushtet të ultraradikalëve të Ahmadinexhadit, është zvogëluar toleranca e brendshme, që në të kaluarën i linte disidentët të merrnin frymë. Ahmadinexhadi është përfaqësues i pasdaranëve, i rojeve të revolucionit, njerëz tepër të ashpër e radikalë, që nuk tolerojnë opinione, apo veprimtari në kundërshtim me pushtetin. Nga ana tjetër, janë të shumta shtetet kundër Iranit, që favorizojnë grupet e vogla e pakicat në opozitë me regjimin. Por, këto grupe mund të shkaktojnë vetëm probleme relativisht të vogla, pasi askush nuk i ndjek në nivelin politik. Teherani e mban vendin në grusht dhe aksionet terroriste vetëm sa justifikojnë dorën e tij të fortë kundër provincave rebele.







All the contents on this site are copyrighted ©.