2010-12-14 12:06:15

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: Fjala e mund vetminë.


“Në se do të kishte Zot, do ta vizitonte vetminë tonë?”. Me këtë mëdyshje të njeriut përfunduam e filluam dy meditimet e mëparshme. Koha e Ardhjes na kujton se duke lindur mes nesh, Zoti e mundi vetminë, që tmerron, që helmatis jetën, që errëson horizontet. E dëshmon më së miri kultura moderne. Në përpjekjen për të krijuar parajsën tokësore në zemrën e njeriut, krijoi një shkretëtirë. Poeti i famshëm Pol Valerì bën këtë pohim të hidhur: “Vetëm! Jam gjithnjë më i vetmuar! Askush nuk e dëgjon zërin e shpirtit tim! S’më flet askush drejtpërdrejt! Askush nuk m’i kupton lotët, rrahjet e zemrës! Vetëm! Ku është Zoti, pse nuk më flet në terrin e natës?”.
Me fjalët e Valeri-së, intelektual i kthjelltë e i mprehtë-bashkohen shumë zëra shkrimtarësh e mendimtarësh të tjerë, aq sa për të bërë një kor vetmitarësh, njerëzish të dëshpëruar, herë të përhumbur, herë të ftohtë akull. Të cilët vërejnë se vetmia është pasojë e zbraztësisë së personalitetit, e mungesës së ndjenjave të vërteta, të vlerave, që e mbajnë gjallë jetën. Atëherë vjen dorëzimi para lojës së fatit e vijimi i jetës artificiale, pa pikë kuptimi, në mëshirën e mërzitjes e të indiferentizmit. Vendi ku punon të duket kurth, që t’i zë të dyja këmbët. S’të fal asnjë kënaqësi, sepse nuk sjell asgjë të re, që ta mbush shpirtin me dritë. Përsëritje e së përditshmes. E vendi, ku banon, i ngjet më shumë një bunkeri, sesa një shtëpie. Pallatet e lagjeve të mëdha, të krijojnë përshtypjen e kafazeve, ku ndrydhen masa molekulash njerëzore. Ndërsa shtëpitë e vogla, mbjellur aty këty maleve e fushave të botës, duken si kafaze zogjsh. Ata, që e ndjejnë më fort vetminë në këtë mjedis të huaj, janë të moshuarit, të cilëve shpesh u duket vetja si të ishin krejtësisht të kotë.
Shkenca e teknika nuk munden t’i dhurojnë njeriut parajsën tokësore, që ia patën premtuar. Përkundrazi. Prandaj ai e ndjen se duhet të kthejë dalë. Tek Zoti –me- ne. Sepse kur është me Jezusin, edhe në mes të një bote armiqësore, nuk ndjehet më i kërcënuar, i kotë, i vetëm, krejt. Fjala e Zotit e mund vetminë.







All the contents on this site are copyrighted ©.