2010-12-14 13:58:24

Qytetarët e Shqipërisë nga nesër pa viza, por duke respektuar rregullat e udhëtim në Shengen


Nesër hyn në fuqi vendimin i Parlamentit Evropian i cili lejon qytetarët e Republikës së Shqipërisë të lëvizin pa viza në 25 Shtetet anëtare të BE-së, si dhe në 3 shtetet e tjera jo anëtare të BE-së, pjesë të zonës Shengen. Tre Shtetet jo anëtare të BE-së, por që janë në zonën shengen janë Zvicëra, Islanda dhe Norvegjia.

Sipas udhëzuesit që ka shpërndarë BE duke filluar që nga data 15 dhjetor 2010, qytetarët e Republikës së Shqipërisë të pajisur me pasaportë biometrike mund të lëvizin të lirë brenda zonës Shengen të BE-së.

Fletëpalosja e përpiluar nga zyra e Komisionit Evropian në Tiranë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare japin disa prej rekomandimeve, për të cilat shqiptarët duhet t'i kenë parasysh gjatë udhëtimit për në vendet shengen. Udhëzimi bën të ditur se shqiptarëve gjatë këtij udhëtimi nuk do t'u kërkohet një garanci pasurore për udhëtimin e tyre, por në të njëjtën kohë ata duhet të justifikojnë financiarisht udhëtimet e tyre.

Në udhëzuesin e shpërndarë bëhet e ditur në detaje se çfarë shtetasit shqiptarë duhet të kenë parasysh gjatë udhëtimit të shumëpritur që mund të ndërmarrim pas 16 dhjetorit. "Personave që zotërojnë pasaportë biometrike, në mënyrë që të udhëtojnë lirisht drejt shteteve Shengen, nuk u duhet të plotësojnë kërkesa të tjera financiare apo administrative. Megjithatë, qytetarëve nga vendet e treta mund t'u kërkohet në kufi të tregojnë mjetet e udhëtimit dhe mjetet e jetesës gjatë qëndrimit të tyre në zonën Shengen.

Atyre mund t'u kërkohet specifikimi në vendin ku do të qëndrojnë, p.sh, të tregojnë rezervimin e hotelit apo adresën e vendit ku do të qëndrojnë", thuhet në manualin e KE-së. Gjithashtu, sipas fletëpalosjes, udhëtarët nuk mund të konsiderohen si persona që përbëjnë një kërcënim për rendin, shëndetin publik apo sigurinë e brendshme.

"Ata nuk duhet të jenë persona ndaj të cilëve është dhënë ndonjë vendim për të refuzuar hyrjen në zonën Shengen. Autoritetet kufitare të shteteve anëtare kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen e personave që nuk plotësojnë këto kërkesa dhe të vendosin përfundimisht nëse do të lejojnë hyrjen e atij personi në zonën Shengen", thuhet më tej në manualin e KE-së.
Kujdes, jo punësim

Në këtë udhëzues bëhet e ditur se vizat shengen nuk janë për qëllime punësimi. Shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm, pasi rregullat e reja aplikohen vetëm për qëllime udhëtimi. "Ato, pra rregullat nuk u japin qytetarëve shqiptarë të drejtën për të qëndruar më shumë se tre muaj, si dhe as të drejtën për t'u punësuar në këto shtete. Nëse keni ndërmend të punësoheni apo të studioni për një periudhë që tejkalon 90 ditët, më parë duhet të aplikoni për vizë afatgjatë ose për leje qëndrimi në ambasadën apo konsullatën e Shtetit ku do të shkoni. Është e ndaluar të punoni në zonën Shengen pa leje pune apo të jetoni aty pa lejen përkatëse të qëndrimit", thuhet në udhëzim.

Qëndrimi mbi 90 ditë, do të konsiderohet i jashtëligjshëm. Në rast, se nuk zotëroni një leje qëndrimi apo një leje qëndrimi tjetër afat gjatë, përtej afatit në 90-ditor, atëherë i bie që qëndrimi i shqiptarëve është i jashtëligjshëm dhe për pasojë nuk mund të lejohet sërish në zonën Shengen", thuhet në doracakun (fletëpalosjen). E njëjta gjë, sipas dokumentit, vlen edhe për persona që punojnë në zonën shengen (edhe për më pak se 90 ditë), pa pasur leje pune. Edhe në këtë rast, në të ardhmen atyre mund të mos u jepet e drejta për të hyrë në zonën Shengen.
Rekomandimet e Komisionit Evropian

Një vëmendje të veçantë Komisioni Evropian i ka kushtuar udhëtarëve që do t'i drejtohen pas 15 dhjetorit vendeve Shengen. Janë pesë rekomandime, që KE-ja jep për qytetarët shqiptarë gjatë udhëtimit të mundshëm drejt vendeve të BE-së. "Udhëtoni me agjenci të besueshme udhëtimi. Kontrolloni a ju duhet sigurim shëndetësor dhe lloji i tij (dokument/konfirmimi nga zyrat shëndetësore). Rekomandohet të pajiseni me sigurim shëndetësor përpara nisjes. Nëse udhëtoni drejt zonës Shengen me automjet, duhet të pajiseni me leje ndërkombëtare drejtimi automjeti dhe me kartonin e gjelbërt të sigurimit ndërkombëtar të makinave.

Për më shumë informacion, përfshirë rregullat rregullore të BE-së, klikoni, vizitoni faqen e internetit http://ec.europa.eu /transport/road_safety/observatory/traffic_rules _en.htm", thuhet në rekomandimet e KE-së. Dy rekomandimet e tjera janë për qytetarët se "nëse udhëtoni privatisht, përpiquni të kontrolloni adresën, qytetin, numrin e telefonit dhe emrin e hotelit të shtetit të zonës Shengen, për shembull, në një faqe interneti. Numri i urgjencës është 112 dhe vlen për të gjitha shtetet anëtare të BE-së (për policinë, ambulancën dhe zjarrfikësin)".

Udhëtimi pa viza bëhet vetëm në rast se një shtetas zotëron një pasaportë biometrike dhe se qëndrimi për 90 ditë llogaritet, për shembull, nëse qytetari hyn në një vend të zonës shengen me 1 janar atëherë periudha e ardhshme gjashtë mujore fillon më 1 korrik. Pra nga 180 ditë kalendarike, shqiptarët duhet të qëndrojnë 90 ditë gjithsej.







All the contents on this site are copyrighted ©.