2010-12-14 15:41:50

Papa do të ofrojë një drekë për të varfërit e Nënë Terezës, më 26 dhjetor dhe dhurata për fëmijët e shtruar në spitalin “Gemelli”, më 5 janar


(14.12.2010 RV)Krishtlindja dhe çdo gjë që e rrethon është thellësisht e lidhur me vlerën e bamirësisë, kur ajo bëhet me gjithë shpirt. Edhe Papa merr pjesë në përpjekjen e përgjithshme për të qenë më të mirë e më të denjë për të festuar lindjen e Foshnjes Hyjnore. Të dielën, më 26 dhjetor, në orën 13, Benedikti XVI do të ofrojë në hyrjen e Sallës Pali VI në Vatikan, një drekë për ata persona, që çdo ditë, ndihmohen nga bashkësi të ndryshme të Misionareve të Bamirësisë së Nënë Terezës në Romë. Papa, i cili do të marrë pjesë në drekë me të varfërit, ka zgjedhur këtë mënyrë për të festuar 100-vjetorin e lindjes së të Lumes shqiptare.
Pasditen e së mërkurës, më 5 janar, në prag të Dëftimit të Zotit, Ati i Shenjtë do të shkojë në Poliklinikën “Gemelli”, ku në orën 17 do të vizitojë e do t’u japë dhurata fëmijëve të shtruar në repartin pediatrik. Gjithashtu, do të bekojë një Qendër për kurimin e fëmijëve me sëmundje të shtyllës kurrizore.








All the contents on this site are copyrighted ©.