Ndërroi jetë në Uashington diplomati dhe miku i Kosovës Riçard Holbruk.
(14.12.2010 RV)Një gjigand i vërtetë
i politikës së jashtme amerikane. Kështu e përkufizoi presidenti amerikan politikanin
Riçard Holbruk, që ndërroi jetë në Uashington në moshën 69-vjeçare pas një problemi
në zemër. Diplomat i palodhur dhe shumë i aftë, Holbruk qe nismëtari i bisedimeve
tepër të vështira që çuan pastaj në përfundimin e luftës në Bosnjë. Karriera e tij
diplomatike filloi në vitin 1968 me negociatat për Vietnamin. Pastaj një varg detyrash
me rëndësi deri e tek e fundit, vitin e kaluar, kur u emërua i dërguar i posaçëm për
Afganistanin dhe Pakistanin. Figurën e tij e analizon në mikrofonin tonë Paolo Mastrolilo,
specialist i SHBA, i gazetës italiane “La Stampa”:
Përgjigje: Ishte patjetër
një diplomat i një kohe tjetër që krahasohej, në përgjithësi me Niksonin. Holbruk
qe protagonisti i paqës në ish-Jugosllavi. E kujtojmë veçanërisht për punën e jashtëzakonshme
që pati bëri asokohe. Duke vënë në rrezik jetën e vet arriti të ulë në tryezë në Dejton,
në SHBA, të gjithë protagonistët e atij konflikti të tmerrshëm. Kuptohet që nga ajo
ditë ai mbeti një figurë e rëndësishme e politikës amerikane dhe konsiderohej si një
sekretar i mundshëm shteti. Kur demokratët u kthyen në pushtet me Barak Obamën, Holbruk
menjëherë u mor në konsideratë për një rol themelor, si ai i të dërguarit të posaçëm
në Pakistan dhe në Afganistan. Ka qenë një gjigand i politikës së jashtme amerikane.
Puna dhe lodhja që iu desh të përballonte gjatë këtyre viteve, ka mundësi të kenë
ndikuar edhe në gjendjen e tij shëndetësore.
Pyetje: A mund të quhet Holbruk
si një nga etërit e diplomacisë amerikane dhe një figurë e spikatur e saj? A ka ndonjë
tjetër sipas jush që e meriton këtë vend më shumë?
Përgjigje: Diplomacia amerikane
ka shumë burime dhe s’ka dyshim që do të ketë njerëz në gjendje ta zëvendësojnë. Ai
i përkiste shkollës së realistëve. Vinte nga një traditë e madhe diplomatike demokratike.
Madje ka qenë mik i të birit të të famshmit Diin Rask, sekretar i shtetit në kohën
e presidentit Kenedi. E megjithëse vinte nga kjo shkollë, ai ishte shumë pragmatik,
realist e kërkonte gjithmonë një zgjidhje logjike dhe praktike të konflikteve, ndonëse,
siç thashë, vinte nga një traditë demokratike e diplomacisë. Do të jetë padyshim e
vështirë të gjehet një person me aftësitë e tija, me vendosmërinë dhe vullnetin e
tij për t’u sakrifikuar edhe personalisht, një person që vë kokën në rrezik vetëm
e vetëm për të zgjidhur çështje të ndërlikuara ndërkombëtare.
Pyetje: Roli
i fundit që luajti Holbruk ishte ai i të dërguarit të posaçëm në Pakistan dhe Afganistan,
një rol shumë delikat.
Përgjigje: Fakti se e zgjodhën të merrej pikërisht
me ato vende tregon sesa i rëndësishëm ishte roli i tij dhe sa i aftë ishte ai si
diplomat. Aty bëhej fjalë për nisjen e bisedimeve brenda palëve në Afganistan, përfshi
edhe talebanët më të moderuar, e nga ana tjetër bëhej fjalë të bindej Pakistani të
mos i përkrahte më ekstremistët në Afganistan. Ishin këto bisedime tepër delikate
tek të cilat mbështetej edhe strategjia e Obamës në Afganistan.