Më 14 dhjetor kalendari Kishtar përkujton Shën Gjonin e Kryqit
(14.12.2010 RV)Shën Gjoni i Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, duhet të ketë lindur
rreth vitit 1540 në Fontiveros, pranë Avilës, në Spanjë. Ishte ende i mitur, kur i
vdiq i ati. S’ ëmës iu desh të lëvizte nga një vend në tjetrin për të fituar bukën
e gojës, duke marrë kudo me vete edhe jetimin. Me gjithë kushtet tepër të vështira
të jetesës. Gjoni filloi të ndjekë shkollën, por u detyrua edhe të punonte, për të
lehtësuar barrën e rëndë që peshonte mbi supe të nënës. Si fitoi pjekurinë, vendosi
t’ia kushtonte gjithë jetën Zotit. Për ta realizuar këtë dëshirë, në sa ishte
në Medinë, vendosi të vishte zhgunin e karmelitanëve. Ishte viti 1567. Nisi kështu
për të rruga e meshtarisë: më 1567, pasi kishte kryer studimet e filozofisë dhe të
teologjisë në Salamankë, universitet spanjoll me famë i kohës, u shugurua meshtar.
Në të njëjtin vit u takua me Shën Terezën e Jezusit, e cila sapo kishte marrë nga
eprori i përgjithshëm lejen për themelimin e dy kuvendeve të karmelitanëve kundrues,
të cilët më pas u quajtën “të zbathur”, me qëllim që t’u ndihmonin rregulltareve në
shtëpitë që drejtonte. Më 28 nëntor 1568 Gjoni u bë anëtar i grupit të reformatorëve
të Durelos, duke e ndryshuar emrin nga Gjoni i Shën Matisë në Gjoni i Kryqit. Kreu
më pas detyra të shumta e të ndryshme: ndërmjet tjerash, qe rrëfyes e drejtues i kuvendit
të Zotit të Mishëruar në Avila. Gjatë punës për reformën, u dëbua nga kuvendi. Më
pas u ngarkua gabimisht me një faj që nuk e kishte bërë e kaloi tetë muaj në burg.
E pikërisht kur ishte i mbyllur në burg, shkroi pjesën më të madhe të poezive të tij
lirike, që u bënë shpejt pronë e thesarit të kulturës botërore, duke u radhitur ndërmjet
kryeveprave më të njohura të lirikës. Iu desh, pra, të mbarte kryqin, që u bë
pjesë e pandarë e emrit të tij. E ishin pikërisht vuajtjet, që e ndihmuan të zbulonte
misterin e Kryqit dhe të ecte në rrugën e kundrimit më të lartë e të jetës mistike.
Etapat e kësaj jete i përshkroi në veprat e teologjisë shpirtërore, të cilën Kisha
e konsideron si doktrinë të sigurt për të gjithë besimtarët e saj. Ja disa nga
titujt: “Ngjitja në malin e Karmelit”; “Nata e errët e shpirtit”; “Këngë shpirtërore”,
“Flakë e gjallë dashurie”. Ai e pa thelbin e Kishës në bashkimin e saj jetik me Krishtin,
i cili është përherë i pranishëm e veprues në Kishë. Gjoni i Kryqit vdiq në moshën
49 vjeçare ndërmjet 13 e 14 dhjetorit të vitit 1591 në Ubedë.Përvoja e shën Gjonit
të Kryqit na mëson se, përmes vështirësive të jetës e duke u shkëputur prej tyre,
është e mundur të arrihet takimi sublim me Zotin.