Me datat e vizitës apostolike në Gjermani, plotësohet kalendari i udhëtimeve të Benediktit
XVI në vitin 2011
(14.12.2010 RV)Papa do të shkojë në Gjermani nga data 22 deri më 25 shtatorin
e ardhshëm. Lajmi jepet nga Konferenca Ipeshkvnore gjermane. Ky udhëtim plotëson kalendarin
e vizitave apostolike të Benediktit XVI gjatë vitit 2011. Ati i Shenjtë do të
bëjë katër udhëtime ndërkombëtare e katër vizita në dioqeza italiane. Fillimisht,
vizita baritore në Akuileia e Venedik, më 7 e 8 maj, 26 vjet pas asaj të Gjon Palit
II. Lajmin e dha në tetor, Patriku i Venedikut, i cili shprehu kënaqësi për këtë dhuratë
të Papës. Pastaj, Benedikti XVI do të shkojë në Kroaci, më 4 e 5 qershor për
t’u lutur tek varri i të Lumit Stepinac. Pas dy javësh, më 19 qershor, vizita baritore
në dioqezën e San Marino-Montefeltros. Ipeshkvi, imzot Luigji Negri nënvizoi se Papa
vjen të takojë një Kishë, e cila po bën një punë të madhe për t’u kthyer në traditën
e popullit të krishterë dhe një shoqëri, e cila përjeton një moment të vështirë. Në
gusht, ngjarja e shumëpritur e Ditës Botërore të Rinisë në Madrid, e treta në të cilën
merr pjesë Papa, pas Këlnit dhe Sidnejt. Nga data 18 deri më 21 gusht, Benedikti XVI
do të jetë sëbashku me të rinjtë nga e gjithë bota për të reflektuar mbi temën “Me
rrënjë e themel në Krishtin, të fortë në fe”. Dy janë udhëtimet apostolike të shtatorit:
më datë 11 në Ankona të Italisë për mbylljen e Kongresit Eukaristik kombëtar dhe,
nga data 22 deri më 25, siç e thamë, në Gjermani, me etapa në Berlin, Friburg dhe
Erfurt. Udhëtimi i fundit në Itali për vitin 2011, më 9 tetor, është ai në Lamecia
Terme dhe Çertoza di Serra San Bruno, në tokën kalabreze. Së fundi, nga 18 deri më
20 nëntor, Papa do të shkojë në Afrikë, në Benin. Kjo vizitë është pjesë e kremtimeve
për 150-vjetorin e ungjillëzimit të vendit. Gjatë saj, Benedikti XVI do t’iu dorëzojë
ipeshkvijve afrikanë Këshillimin apostolik, fryt i Sinodit të veçantë për Afrikën,
i cili u zhvillua në Vatikan në tetor 2009.