2010-12-14 16:00:56

Kosova pas votimeve kërkon orientim e qartësi


Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të 12 dhjetorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rrezikon të hyjë në krizë qeveritare menjëherë nëse partitë politike mendojnë seriozisht e me të vërtetë atë që deklarojnë publikisht.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Vetëvendosje nuk duan të qeverisin me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila ka fituar zgjedhjet. Kjo e fundit beson të gjejë një parti të vogël edhe pakicat për të formuar qeverinë e re, derisa liderët e partive tjera duke filluar nga Isa Mustafa i LDK-së e tjerët i kontestojnë rezultatet dhe kërkojnë të hidhet dritë mbi manipulimet dhe parregullsitë që janë regjistruar, për çka ata kanë paraqitur ankesat në PZAP (Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa).
Raportimet e shumta për parregullsi, shkelje dhe manipulime kanë hedhur një hije të rëndë mbi zgjedhjet e 12 dhjetorit, me një numër të madh vëzhguesish e diplomatësh ndërkombëtarë që insistojnë se problemet duhet adresuar shpejt, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet nga vota e popullit.
Sidoqoftë, sipas rezultatet preliminare të zgjedhjeve, fiton PDK-ja, e cila tani ka vështirësi për formimin e qeverisë së re.
Nga ana tjetër, ministrat e jashtëm të BE-së kanë kërkuar që në Kosovë pas zgjedhjeve të së dielës të formohet shpejt një qeveri me “program evropian”, si dhe të zgjidhet presidenti i Kosovës “për t’u përballur me sfidat e ardhshme” e me qëllim të fillimit sa më të shpejtë të dialogut me Beogradin. Përveç kësaj, qeveria e re ka para sfida të rëndësishme e të mëdha: varfëria e lartë dhe e përhapur në vend, luftimi i korrupsionit të lartë, reformat e brendshme dhe njohjet e mëtejshme nga Vendeve ndërkombëtare si dhe futjen e Kosovës në organizma e institucione të ndryshme ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.