2010-12-13 16:06:01

“Drejt Krishtlindjes: shtegtim atje, ku dashuria e Zotit iu dëftua mbarë botës”: fati i njeriut.


(12.12.2010 RV)Në meditimet e kaluara u ndaluam tek Psalmi i Kohës së pritjes (84-85), plot me shpresa për të ardhmen. Po cila është kjo e ardhme, në sa dihet fare mirë se jeta e njeriut përfundon me vdekjen fizike? Ç’shpresë e re lind në Shpellën e Betlehemit? Në pritje të ngjarjes së madhe, njeriu mediton më shumë se kurrë për fatin e vet. E një breshëri pyetjesh ia trazojnë mendjen e zemrën. Kush është? Egërsirë e zbutur? Qen shtrungu rojtar, i lidhur, në vend të vargonjve, për disa parime të prera? Nga vjen? Ku shkon? Ç’kuptim ka jeta e tij, ndërmjet dy caqesh të paracaktuara, si gurë varresh, që s’tunden? Me shpirtin e pushtuar nga ankthi e mendjen, nga dyshimet? Që kërkon me ngulm një përgjigje?
Pyetje të ngarkuara me ankthin e shekujve. Po bota materiale, që ka mijëra përgjigje, për mijëra pyetje të kota, të përditshme, hesht. Stinët ndërrohen, era fishkëllon, retë dynden e davariten, yjet xixëllojnë, po nuk janë në gjendje t’i përgjigjen pyetjes themelore të njeriut. Janë tejet infdiferentë përballë fatit të tij tragjik. Ai është i dënuar me errësirë e vetmi, si një atom qesharak, i përhumbur në gjithësi, në kërkimin plot etje të së vërtetës e të dashurisë. E jo vetëm njeriu i thjeshtë. Njëlloj edhe poetët e mendimtarët e të gjitha kohëve. Sepse njeriu është i vetmuar, gjithnjë më i vetmuar. Atëhere, në kulm të dëshpërimit, pyet: “Ku është Zoti? Pse nuk më përgjigjet? Në se do të kishte një Zot, do ta vizitonte vetminë time e do të më fliste ëmbël në mesnatën e shpirtit?
Përgjigjja, në meditimet e ardhshme!







All the contents on this site are copyrighted ©.