2010-12-13 16:05:47

Papa gjatë vizitës në famullinë e Shën Maksimilian Kolbes: është Zoti ai që e ndryshon botën; diktaturat e profetët e rremë sjellin vetëm shkatërrim.


(13.12.2010 RV)Dje, duke vizituar famullinë romake të Maksimilian Kolbes, Papa i ftoi besimtarët ta kërkojnë Jezusin në mirësinë e Zotit e jo në revolucione e ta dallojnë mirë nga ideologët, diktatorët e totalitarizmat që, duke u shembur, lanë pas zbraztësi të frikshme e shkatërrim të madh. Në famullinë romake, kushtuar Martirit të njohur polak, vdekur në një nga kampet naziste të përqendrimit, Papa kremtoi Meshën e së Dielës së tretë të Kohës së Ardhjes, që njihet me emrin “Gaudete”, “Gëzohuni!”. Ftesa për t’u gëzuar buron pikërisht nga leximet liturgjike, që Papa i citoi, duke i nxitur besimtarët t’ia përcjellin mesazhin e dashurisë të gjithë njerëzve.RealAudioMP3
Në të Dielën e tretë të Kohës së Ardhjes, i krishteri ndodhet para një pyetjeje me rëndësi të dorës së parë. Është ajo e Shën Gjon Pagëzuesit, i cili i nis dishepujt për ta pyetur Jezusin: “Je ti, ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?". Pyetja e Gjonit, që shqetësohet, sepse nuk po shikon kurrfarë ndryshimi në botë, është e njëjta pyetje, që vijojnë të bëjnë shumë njerëz në rrjedhë shekujsh:
“Je vërtetë ti? Apo bota duhet ndryshuar nga rrënjët? Ti nuk e bën këtë? E bëjmë ne! E erdhën shumë profetë, ideologë e diktatorë, që thanë: ‘Nuk është ai. Ai nuk e ndryshon botën! Jemi ne! E krijuan perandoritë e tyre, diktaturat e tyre, totalitarizmat e tyre, që ta ndryshonin këtë botë. Dhe e ndryshuan, duke e rrënuar me kulm e themel. E sot e dimë se nga këto premtime nuk mbeti tjetër, veçse një boshllëk i madh e një shkatërrim i hatashëm. Nuk ishin ata!”.
Pyetjes, që vijon të jehojë udhëve të botës - kujtoi Papa - na duket se Krishti i përgjigjet kështu:
“Shikoni ç’bëra unë! Nuk bëra revolucion .. nuk e ndryshova botën me forcë, por ndeza shumë drita, që formojnë një udhë drite në rrjedhë shekujsh”.
Janë dëshmitarët e panumërt të fesë, që ndriçuan e ndriçojnë si yje në horizontet e zymta të shekujve të historisë, në shndërrim të vazhdueshëm. Janë njerëz, që i ngjasin Shën Maksimilian Kolbes, i cili flijoi jetën e vet, për të shpëtuar atin e një familjeje. Janë drita, që ndizen në errësirë, për t’u treguar të gjithëve ku mund t’i gjejnë njerëzit, që presin një dorë, e cila bëhet për ta dora e Zotit. Quhen Damian de Veuster: jetojnë e vdesin për të gërbulurit; quhen Nënë Tereze: çojnë dritë në errësirën më të dendur, e jetë, në viset e vdekjes. Gjithnjë me buzë në gaz, sepse të pushtuar nga drita e Zotit. Janë shumë, shumë. Konstelacione të tëra në qiellin e zi të kohëve të vështira. Papa kujtoi vetëm disa prej tyre, për t’i siguruar besimtarët se pikërisht kështu Zoti na bën ta ndjejmë afërsinë e tij:
Zoti është pranë, jemi ne që shpesh i rrimë larg. T’i afrohemi, të shkojmë sa më pranë dritës së tij, ta lusim Zotin e, në sa lutemi, të bëhemi edhe ne vetë dritë për të tjerët”.
Të bëhemi dritë – na fton të gjithëve Papa në këtë kohë, kur presim Ardhjen e Zotit mbi tokë.







All the contents on this site are copyrighted ©.